Mjekët në protestë

Mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do të protestojnë sot për të kërkuar zbatimin e kontratës kolektive, rritjen e pagave prej 25 për qind sipas vendimit të Qeverisë, si dhe lirimin e hapësirave të QKUK-së nga institucionet shëndetësore private. Kryetari i Organizatës Sindikale të Shëndetësisë, Xhemajl Selmani, ka thënë në një konferencë për media se janë të detyruar të protestojnë pasi që nuk u ka mbetur rrugë tjetër për zbatimin e kërkesave të tyre. “Autonomia territoriale e QKUK-së, gjegjësisht kthimi i objekteve ose sistemit shëndetësor publik në raport me sistemin shëndetësor privat, çështje tjetër me rëndësi është implementimi i kontratës kolektive për të cilën e kem alarmuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë por edhe gjithë shoqërinë dhe si çështje tjetër me rëndësi është ngritja e pagave prej 25 për qind nga premtimi elektoral i kaluar i cili premtim është premtim publik gjegjësisht kontratë publike me popullin sepse kanë premtuar para publikut fytyra publike që sot e kanë pushtetin dhe ky premtim publik i obligon sepse është kontrast publike me votuesin”, ka theksuar ai.