Mitrovicë, pika ku ndërrohen targat për shkak të sigurisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Hapësira në mes të urës lindore e cila lidhë jugun e qytetit të Mitrovicës me pjesën veriore dhe deri te barrikada afër shkollës teknike, është njëra prej zonave ku qytetarët pa dallim ndërrojnë targat e automjeteve të tyre, apo i heqin fare ato.

Këtu, serbët e veriut që duan të lëvizin në pjesën qendrore të vendit, heqin targat të cilat i jep shteti serb me iniciale të qyteteve të Kosovës (KM, PR etj.), dhe vendosin targat KS të lëshuara nga institucionet e Kosovës.
E njëjta gjë ndodhë edhe me shqiptarët që për nevoja të ndryshme qarkullojnë në veri, të cilët heqin targat e automjeteve të tyre.

Krejt kjo ndodhë për shkak të siç thonë ata, sigurisë së tyre, përkatësisht që gjatë qarkullimit me automjetet e tyre të mos hasin në ndonjë situatë të pakëndshme ose të rrezikshme.

Albert Gashi, banor i veriut të Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se shkon nganjëherë në veri të qytetit për të blerë barna farmaceutike, ngase në atë pjesë ato kushtojnë më lirë.

Sipas tij, sa herë që kalon në atë pjesë të qytetit me automjetin e tij i duhet të heq targat për shkak të sigurisë.
Edhe Faik Haziri, taksist nga ‘Lagja e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, thotë se del shpesh me automjetin e tij në veri, por për shkak të sigurisë ai gjithmonë i heq targat.

Ndërsa njëri prej qytetarëve serb i cili është pajisur me targat e institucioneve të Kosovës, Radomir Stanojeviq nga fshati Grabovc i komunës së Zveqanit, tha se është duke udhëtuar për në Lipjan dhe po i ndërron targat e automjetit, sepse ndjehet më i sigurt.

Ai tha se gjatë qarkullimit me targa të Kosovës në pjesën qendrore të vendit, nuk ka pasur asnjëherë problem.
Ndryshe, serbët në veri të vendit vazhdojnë të mbajnë akoma targat ilegale serbe me iniciale të qyteteve të Kosovës (KM, PR etj.), pastaj targa të qyteteve të Serbisë, por ka edhe të tilla që janë pa targa fare.

Qeveria serbe kishte kërkuar përmes ndërkombëtarëve që institucionet e Kosovës duhet të presin derisa t’ju skadojë afati i regjistrimit, për të kaluar pastaj në targat e Kosovës, por një gjë e tillë ende nuk po ndodhë, ndërsa ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, pati thënë se me arritjen e marrëveshjes për sigurimin e veturave, pret angazhim më të madh nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës në eliminimin e këtyre targave.

Muaji prill i vitit 2014 ka qenë afati fundit që duhej respektuar dhe që veriorët të vendosnin targa të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mitrovice-pika-ku-nderrohen-targat-per-shkak-te-sigurise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala