Mitrovica bashkohet, në VALA

Autori:Avdyl Pajaziti

Dy institucionet më të mëdha në Mitrovicë, Spitali i Përgjithshëm dhe Universiteti, si dhe pesë kompani të fuqishme, nga dhjetëra që po presin të kalojnë në rrjetin e Valas, iu bashkuan sot kompanisë lider në vend për shërbimet e telefonisë mobile dhe internetit, Telekomi i Kosovës.

Ky numër i madh i institucioneve spitalore dhe universitare si dhe bizneseve që do të përdorin tash e tutje numrat e Vala-s, i sollën operatorit publik, Vala mbi 5 mijë klientë të rinj, vetëm brenda një dite të vetme.

“Sot po nënshkruajmë kontrata me Spitalin, Universitetin dhe 5 kompani. Kaq mblodhëm për sot, në mënyrë që mos ta ngjeshim agjendën. Janë edhe dhjetëra kompani të tjera që po presin të nënshkruajmë në mënyrë zyrtare dhe të kalojnë në Vala. Me disa kemi zgjedhur të bëjmë ceremoni zyrtare, por me të gjitha nuk do të gjejmë kohë. Prezenca e Drejtorit Menaxhues që ka ardhur nga Prishtina, dëshmon për transferim kompetencash dhe për mbështetjen e regjioneve. Ne nuk do të ndalemi”, tha Esat Jusufi, menaxher i Telekomit të Kosovës, në Mitrovicë.

I pari që nënshkroi kontratë për kalimin në Vala, ishte Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhi Beqiri”, në emër të së cilit nënshkroi drejtori medicinal i këtij spitali, Dr. Zahir Musa.

“Që nga sot 412 mantelbardhë dhe staf tjetër teknik në spitalin tonë do të jenë me Vala-n. Për këtë fakt duhet të jemi të gjithë të lumtur, sepse do të përfitojmë si nga shërbimet ashtu edhe nga çmimet që do të jenë të favorshme për secilin nga ne. Edhe komunikimi me pacientë do të transformohet pozitivisht”, bëri të ditur dr. Zahir Musa.

Ndërsa pesë kompanitë që kaluan në Vala, duke nënshkruar publikisht janë: “Bajraktari Shpk”, “Apetit Shpk”, “Alfa Projekt Shpk”, “NNP ER Construcion” si dhe “NPSH Mega Plast-2”.

Pronarët e këtyre kompanive njëzëri theksuan se arsyeja e kalimit në Vala, janë shërbimet cilësore dhe të pakonkurrueshme në raport me operatorët tjerë.

Pas bizneseve, u nënshkruan kontrata për kalim në Vala edhe të stafit akademik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Mbi 130 punonjës të stafit akademik, tani e tutje do të përdorin numra PostPaid numra të Valas.

Ndërsa për studentët, nënshkroi përfaqësuesi i Parlamentit Studentor të këtij Universiteti. Studentët do të jenë pjesë e pakos N’Trip.

“Me Vala-n do të jemi më të efektshëm në kryerjen e shërbimeve, punëve dhe objektivave që kemi si Universitet. I jemi mirënjohës drejtorit të Vala-s për këtë mundësi dhe mundësisë që do t’iu krijojë studentëve të këtij universiteti për të bërë praktikën dhe kërkime shkencore në Telekomin e Kosovës”, theksoi Rektori i Universitetit Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Parlamentit Studentor, Fitim Latifaj, shtoi se oferta që jep Vala për të rinjtë, studentët, N’trip, iu përshtatet më së miri studentëve të këtij universiteti.

“Mbi 4200 studentë që nga sot do të jenë pjesë e N’Trip. Është një ofertë shumë cilësore dhe e lirë për xhepat e studentëve”, tha kryetari i Parlamentit Studentor, Fitim Latifaj.

Drejtori Menaxhues, Agron Mustafa, duke përgëzuar menaxherin regjional dhe stafin e regjionit të Mitrovicës, pranoi që është shumë i emocionuar.

“Janë dy institucione të mëdha, gati të gjithë studentët e Universitetit ‘Isa Boletini’ dhe përfaqësuesit e 5 bizneseve, me të cilët nënshkruam kontratë për kalimin e Vala-s. Ky fakt po më emocionon shumë, veçmas pasi po nënshkruhet në Mitrovicë dhe nga menaxheri regjional. Është bërë punë shumë e madhe. Unë sot jam i pranishëm në cilësinë e vëzhguesit për të inkurajuar menaxherin regjional, pasi siç jam shprehur që në fillim të mandatit, jam ithtar i decentralizimit dhe do t’i mbështes regjionet në çdo kërkesë të arsyeshme që ato kanë. Vala-s së bashku do t’ia rikthejmë të gjithë klientët që ka humbur gjatë këtyre viteve”, deklaroi Agron Mustafa, Drejtor Menaxhues i Telekomit të Kosovës. /

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mitrovica-bashkohet-ne-vala/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala