Misioni vlerësues për liberalizmin e vizave në korrik viziton Kosovën

Autori:Avdyl Pajaziti

Misioni i vlerësues i Komisionit Europian (KE), i cili do të bëjë vlerësimin e gjendjes reale për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e institucioneve vendore, do të arrijnë Kosovë gjatë muajit korrik.

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku me 5 qershor i ka dorëzuar raportin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës mbi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave tek Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Ndërkaq për të verifikuar të dhënat në këtë raport, një mision i BE-së do të vizitojë Kosovën në javët e ardhshme, ka bërë të ditur ministri Çollaku për lajmi.net.

“Pas dorëzimit të Raportit ne presim që Komisioni Evropian të përgjigjet shpejt dhe të dërgoj një ekip vlerësues i cili edhe do të jetë përgjegjës për të verifikuar nëse ne kemi përmbushur kriteret ashtu siç kemi raportuar përmes raportit. Ne presim qe komisioni evropian ta dërgoj misionin e vet vlerësues ne javët ne vazhdim”, ka thënë ai.

Ministri Çollaku ka thënë se institucionet e vendit kanë punuar me përkushtim të madh dhe presin vlerësim pozitive nga ana e Komisionit Europian.

“Ne jemi të bindur në punën serioze që është bërë dhe, duke e ditur që ky është raporti i fundit gjithëpërfshirës për përmbushjen e kritereve, presim një vlerësim meritor nga komisioni evropian”, është shprehur ai për lajmi.net.

Për Çollakun është shumë e rëndësishme dhe po ashtu përgjegjësi e institucioneve të Kosovës dhe e qytetarëve, që të sigurojnë shtetet anëtare të BE-së se nuk do të abuzojnë me të drejtën e lëvizjes se lirë.

Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ballafaqohen me kufizim të lëvizjes së lirë në shtetet e BE-së.

Ndryshe njëri nga “armiqtë” kryesor të procesit të liberalizmit të vizave, sipas njohësve të proceseve të integrimeve evropiane, është edhe migrimi ilegal, e që në fundit të vitit 2014 dhe fillim të 2015-së, Kosova u përballë me një valë të madhe të qytetarëve të cilët në mënyrë ilegale kanë kaluar në disa vende të BE-së.

Vetëm gjatë vitit 2014, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë emigruar mbi 45 mijë qytetarë drejt vendeve të BE-së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/misioni-vleresues-per-liberalizmin-e-vizave-ne-korrik-viziton-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala