Miratohet Projektligji për themelimin e Fondit për Garanci Kreditore

Autori:Avdyl Pajaziti

E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 43-tën me radhë, në të cilën, ndër të tjera, ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për vijën shtetërore kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi dhe Projektligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Kryeministri Isa Mustafa i ka vlerësuar lartë rëndësinë e miratimit të këtyre dy akteve.

“Me këto dy akte sot po e tregojmë konsistencën e politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe sa i përket politikave zhvillimore, por edhe sa i përket krijimit të kushteve të fqinjësisë me të gjitha vendet me të cilat ne kufizohemi. Konsideroj se themelimi i Fondit per Garantimin e Kredive do të jetë një përkrahje shumë e madhe për zhvillimin e bizneseve, sidomos bizneseve të reja. Është një praktikë e cila për herë të parë po zbatohet tek ne në Kosovë, dhe nga e cila presim që do të kemi efekte multiplikative për zhvillimin ekonomik.

Ky Fond po themelohet me një përkrahje të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe në aplikimin e përvojave më të mira të përkrahjes së bizneseve dhe të garantimit të kredive për biznese, por edhe një pjesëmarrje domethënëse të USAID-it, përkatësisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë fond, sepse gati qind për qind e mjeteve të cilat do të jenë si mjete iniciale të fondit do të jenë mjete që jepen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj për këtë përkrahje kaq të madhe.

Konsideroj që poashtu iniciativa për nënshkrimin e Marrëveshjes me Malin e Zi, është tepër e rëndësishme për zhvillimin tonë, sepse kjo shënon një fazë të rëndësishme të përkufizimit shtetëror të Kosovës me vendet fqinje dhe ndërtimit të marrëdhënieve të reja mbi bazën e respektimit të kufijve shtetëror”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të gjitha ata që kanë punuar në këtë fushë, dhe duke shtuar se ky është një proces i cilin do të vazhdohet edhe në javët e tjera në Qeveri derisa të përmbyllet.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, duke propozuar miratimin e nismës për lidhjen e Marrëveshjes për vijën kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, ka vlerësuar punën e Komisionit.

“Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror të Republikës së Kosovës, ka punuar tash e tri vjet rreth përmbylljes së çështjes së demarkacionit me shtetin e Malit të Zi.”

“Tani Kosova në kuadër të forcimit të subjektivitetit të vet ndërkombëtar dhe ndërtimit të raporteve, marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit në veçanti me shtetet fqinjë, është duke punuar intensivisht që të përmbyllë këtë çështje që është si kusht dhe standard, natyrisht edhe ndërkombëtar por edhe në kuadër të konsolidimit si shtet. Prandaj, pas përmbylljes së kësaj çështje të demarkacionit me Maqedoninë, është punuar intensivisht tash e tri vite nga ky Komision që kjo çështje të përmbyllet edhe me Malin e Zi.

Komisioni ka bërë një punë profesionale, prandaj kam nderin t’iu informoj në pika të shkurtra sot rreth nismës për lidhjen e Marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Marrëveshja e lartpërmendur përveç rëndësisë dhe përmbajtjes së saj do ta avancoj edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi. Përmes kësaj marrëveshje, ne konfirmojmë angazhimin reciprok për të kontribuar në promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sigurinë, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë.

“Ne i kemi dhënë mbështetje të fuqishme punës profesionale të Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, duke u udhëhequr gjithnjë nga dëshira për të përmbushur obligimet që dalin nga e drejta ndërkombëtare, duke pasur parasysh respektimin e plotë të parimit të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë dhe zgjidhjen paqësore të çështjeve dypalëshe.”

“Në pajtim me legjislacionin në fuqi, pra Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, Marrëveshja e lartpërmendur i nënshtrohet procesit të ratifikimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, andaj kërkohet sot që kjo nismë të aprovohet nga Qeveria fillimisht”, theksoi zëvendëskryeministri Thaçi.

Kabineti Qeveritar më tutje miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes për vijën shtetërore kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Edhe Projektligji për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore ka marr miratimin e kabinetit qeveritar. Themelimi i këtij fondi do të përmirësoj edhe më shumë ambientin e të bërit biznes në Kosovë dhe do të përmirësoj qasjen në financa të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë. Fondi do të themelohet me mbështetjen e USAID-it, me 20 milionë dollarë të ndara si kapital fillestar.

Në vazhdim të mbledhjes, është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillimin: “Mbështetje institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës”.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se ky është një projektligj i cili siguron kushte shumë të mira për furnizimin me ujë të asaj pjese të vendit, duke e vlerësuar si një të arritur shumë të madhe që kjo të zbatohet.

Është miratuar edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Sekretariatin dhe Qendrën e Situatave të Këshillit të Sigurisë të Kosovës.

Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar, kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Ilir Morina, i është vazhduar kontrata edhe për një mandat tre vjeçar.

Është miratuar po ashtu vendimi preliminar për shpronësimin me interes publik të pronave të paluajtshme që preken të Ndërmarrjeve Shoqërore “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb” të cilat preken nga ndërtimi i objekteve ndërtimore për nevoja të Qeverisë së Kosovës.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin preliminar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit (IBM).

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka njoftuar kabinetin qeveritar me situatën e krijuar pas reshjeve të mëdha të shiut gjatë ditëve të kaluara. Ai ka theksuar se Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, bashkë edhe me komunat, është në proces të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara dhe ka kërkuar angazhimin e kabinetit qeveritar për sigurimin e mjeteve për kompensim të pjesshëm të fermerëve për dëmet e shkaktuara.

Kryeministri Isa Mustafa, duke iu referuar vërshimeve të para pak ditësh në Tetovë të Maqedonisë, e ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me gatishmërinë që Qeveria të ndihmojë edhe përmes trupave të FSK-së për situatën emergjente atje.

“Këtë ofertë ua kemi dhënë edhe autoriteteve të Maqedonisë, mbetet çështje e hapur, prandaj unë sot iu kisha lut që vetëm në qoftë se vijmë në situatë që duhet të dërgojmë, atëherë ta kemi pajtueshmërinë e Qeverisë, që t’i drejtohemi Presidentes, sepse pastaj Presidentja autorizon pjesëmarrjen e njësive tona jashtë për të dhënë ndihmën dhe kontributin e tyre”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për bisedën telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hoyt Yee.

“Ai ka shprehur mirënjohjen e madhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës për vendimin lidhur me themelimin e Dhomave të Veçanta dhe Prokurorisë së Veçantë. Poashtu, ka shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të na përkrahin në të gjitha fazat e zhvillimit tonë, të integrimeve evropiane dhe të kemi mbështetjen e tyre për proceset integruese euroatlantike dhe për proceset e ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik në vendin tonë”, theksoi kryeministri Mustafa, duke përcjellur përshëndetjet e z. Yee për tërë Qeverinë dhe deputetët e Kuvendit për votën dhe për vendimin e tyre shumë të rëndësishëm.

Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast e vlerësoi këtë vendim si jo të lehtë dhe se me këtë është shprehur edhe përkushtimi i Kosovës për ndërtimin e shtetit ligjor dhe të drejtësisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/miratohet-projektligji-per-themelimin-e-fondit-per-garanci-kreditore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala