Miratohet në parim Projektligji për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Komisioni për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar në parim shqyrtuar Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e këtij komisioni të enjten u tha se ky projektligj do të rregullojë veprimtarinë e shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Nënkryetarja e këtij komisioni Teuta Rugova, tha se ky projektligj është i hartuar mirë dhe është në përputhje me legjislacionin e BE-së, thuhet në një komunikatë të Kuvendit.

“Projektligji do të rregullojë veprimtarinë e Shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, duke e përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kur të hyjë në fuqi ky projektligj, do të shfuqizohet Ligji për MPJ-në dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, së bashku me Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e tij, si dhe Ligji për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës”, është shprehur Rugova.

Anëtarët e Komisionit  e kanë miratuar atë në parim, duke e formuar edhe grupin punues, në përbërje : Qerim Bajrami, Zafir Berisha dhe Blerta Deliu – Kodra,  për të përgatitur raportin me rekomandime, në emër të komisionit funksional.

Po në këtë takim është vendosur për një vizitë zyrtare (njëditore) të katër anëtarëve të komisionit në Parlamentin hungarez, më 17 nëntor, ndërkohë që do të përcaktohet edhe delegacioni për këtë vizitë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/miratohet-ne-parim-projektligji-per-sherbimin-e-jashtem-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala