Ministrja Tahiri thotë se Rrahim Pacolli i ka ngatërruar gjërat

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministrja për Dialogun në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha se çështja e tabelave provues nuk ka të bëjë me marrëveshjen për policat e sigurimeve.

Këto deklarata ajo i bëri për KALLXO.com si kundërpërgjigje ndaj Rrahim Pacollit, kryesues i delegacionit kosovar për çështje të sigurimeve në bisedimet e Brukselit dhe kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Pacolli një ditë më parë kishte kërcënuar se në rast se Serbia nuk lejon përdorimin e targave të Kosovës në territorin e Serbisë, pala kosovare do ta anulojë marrëveshjen e arritur në qershor të këtij viti.

“Marrëveshja për policat e sigurimit është në zbatim të plotë sepse dy shtetet e kanë nënshkruar ndërsa problemet që ngrit z. Pacolli nuk kanë të bëjnë me këtë marrëveshje sepse kjo marrëveshja e policave adreson e çështjen e policave dhe jo të tabelave. Ndërsa marrëveshja për tabela dhe lëvizjen e lirë është marrëveshje për lëvizjen e lirë”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ministrja Tahiri tha se Pacolli e di shumë mirë se çështja e tabelave provuese nuk lidhet me marrëveshjen e policave.

“Ai ka përfaqësuar Byronë e Sigurimeve të Kosovë në delegacion dhe e ka udhëhequr grupin teknik të byrosë por marrëveshja për policat nuk lidhet me tabelat. Z. Pacolli e di këtë punë”, pohoi Tahiri.

Çështjen e tabelave ajo e konsideron si politike prandaj paralajmëron trajtim të veçantë për këtë çështje në bisedimet e Brukselit gjatë këtij muaji.

“Ka një kohë të gjatë që ne kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian që të kërkojë nga Serbia t’i heqë tabelat provuese. Përndryshe e kemi njoftuar që edhe ne do t’i vëmë sepse e kemi të drejtën me marrëveshjen për lëvizjen e lirë të vitit 2011 që ta vendosim reciprocitetin. Gjatë shtatorit do të mbahet në Bruksel një takim, në të cilin ne do të kërkojmë ose Serbia t’i heqë tabelat provuese ose ne si qeveri do t’i vendosim ato”, deklaroi ministrja Tahiri.

Por në çështjen e policave të sigurimit, udhëheqësja e delegacionit teknik të Kosovës tregoi se si Rrahim Pacolli i është drejtuar për këtë çështje por, sipas saj, ai nuk ka ofruar asnjë argument juridik.

“Ai mu ka drejtua edhe mua por unë nuk lexova asnjë argument juridik që ai ngre në raport me marrëveshjen e policave se po të kishte ngritur një argument juridik ne do ta trajtonim si qeveri. Ai flet për një marrëveshje tjetër për të cilën nuk kanë kompetencë byroja”, tha Tahiri.

E Rrahim Pacolli, kryesuesi i delegacionit kosovar për çështje të sigurimeve në bisedimet e Brukselit dhe kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, tha për KALLXO.com tha se dikush nga ministritë ka ndërhyrë në vendimin e tij për të ngrirë marrëveshjen për policat e sigurimit./Kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ministrja-tahiri-thote-se-rrahim-pacolli-i-ka-ngaterruar-gjerat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala