Ministrja Edita Tahiri shkelë ligjin, denohet 50 € , sherri i saj pronari denohet me 3000€

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministrja pa portofol e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri e ka shkelur ligjin që e ndalon pirjen e duhanit në ambientet publike. Edhe pse ishte vetë deputete në mandatin e kaluar kur u aprovua ligji kundër duhanit, ajo e shkelë atë në çdo lokal ku ndodhet. Rasti i fundit ku edhe është zënë nga inspektorët dhe është dënuar me 50 euro, është në lokalin e njohur të Prishtinë, “Taverna Sofra’bezi”.

Sherrin e veprimit të saj të papërgjegjshëm dhe të kundërligjshëm ia ka parë edhe pronari i lokalit, Nderim Breznica, të cilit inspektorët ia kanë shqiptuar një gjobë prej 3000 eurosh.

Por pronari i  lokalit “Taverna Sofra’bezi”, Nderim Breznica nuk e ka në plan ta paguaj këtë denim.
Ai ka thënë për portalin “Infokusi” se stafi i lokalit ka qenë shumë i shqetësuar me këtë rast, pasi që në lokalin e tyre nuk ndodhë asnjëherë qe dikush ta ndezë cigaren brenda.

“Prej kur ka hyrë ligji në fuqi ne i kemi vendosur të gjitha shenjat që ndalohet pirja e duhanit në ambientet e brendshme. Nga dera e hyrjes dhe brenda në disa vende është shenja ndalohet pirja e duhanit. Çdo klient i yni e di këtë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që dikush të konsumojë duhan brenda. Jemi lokal i njohur dhe kemi për klientelë familjarët, prandaj nuk ndodhë që dikush të bëj veprime të tilla, përveç këtyre të pushtetit. Këtyre njerëzve të politikes që vetë e bëjnë ligjin dhe vetë e shkelin, nuk ke çka u bën”, ka thënë Breznica për portalin “Infokusi”.

Sipas tij, Edita Tahiri e ka ndezur cigaren pa e pyetur askënd, nuk ka pasur “shpuzore” në tavolinë dhe as që e kanë parë stafi se ajo e ka ndezur cigaren.

“Unë nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e papërgjegjshme të  njerëzve të pushtetit. Ne të gjithë e dimë se ata nuk pyesin dhe as nuk mund t’i ndalojmë. Është turp prej tyre të bëjnë veprime të tilla. Unë nuk paguaj dënim pse ata e shkelin ligjin. Konkretisht për rastin e Edita Tahirit, inspektorët më kanë shqiptuar dënim 3000 euro, por unë u kam treguar se nuk do ti paguaj dhe tash do të dalim në gjyq.

Rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe inspektori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Ibrahim Terrshnjaku. Ai ka thënë për portalin “Infokusi” se është i njoftuar me rastin dhe është në dijeni se ky rast tashmë ka shkuar në gjykatë.

“Po e di dhe fletëparaqitja për këtë rast është proceduar për gjykatë dhe tani gjykata vendosë për shumën e gjobës. Me ligj është e paraparë që personi fizik denohet me 50 euro, personi përgjegjës me 500 euro dhe biznesi nga 3000 deri në 5000 euro”, i ka thënë Tershjaku “Infokusit”./Infokusi.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ministrja-edita-tahiri-shkele-ligjin-denohet-50-e-sherri-i-saj-pronari-denohet-me-3000e/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala