Ministrja Bajrami zotohet për përkrahje të sektorit privat

Autori:Avdyl Pajaziti

Dialogu ndërmjet sektorit publik dhe sektorit privat duhet të vazhdojë edhe më tej, ndërsa Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik duhet të shërbejë platformë ku do të diskutohen të gjitha iniciativat që në një mënyrë ose tjetrën ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e sektorit privat në veçanti.

Ky konkluzion doli nga tryeza e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministren e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, ku kompanitë e sektorëve të ndryshëm patën rastin që në mënyrë të drejtpërdrejtë të njoftojnë ministren mbi sfidat dhe çështjet me të cilat ballafaqohet sektori privat në vend.

Në hapje të tryezës, Arian Zeka, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se sektori privat e vlerëson lart mundësinë e dhënë që të zhvillohet një debat i hapur për diskutimin e çështjeve ekonomike, sidomos kur kihet parasysh stagnimi i proceseve ekonomike që ndodhi si rezultat i mungesës së institucioneve në fund të vitit të kaluar.

Ai, gjithashtu konfirmoi gatishmërinë e Odës Amerikane që të jetë partner konstruktiv i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në iniciativat që kanë për qëllim përmirësimin e mjedisit afarist në vend.

Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja Bajrami theksoi se përmirësimet e dukshme në procedurat administrative në ministrinë që ajo drejton nuk kanë pasur ndikimin e pritshëm në zhvillim të mirëfilltë ekonomik, kjo edhe për shkak se sfidat e bizneseve në të shumtën e rasteve lidhen edhe me punën e institucioneve të tjera.

Gjithashtu, ministrja theksoi rëndësinë e aplikimit të barabartë të legjislacionit aktual për të gjitha kompanitë dhe largimin e arbitraritetit nga ana e zyrtarëve të institucioneve, në drejtim të krijimit të një konkurrence të mirëfilltë në sektorin privat.

Bajrami theksoi edhe sfidat me të cilat ballafaqohen prodhuesit vendor si rrjedhojë e hapjes së tregut dhe konkurrencës nga vendet e rajonit.

Ajo gjithashtu ftoi bizneset që haptazi të raportojnë rastet e korrupsionit në aktivitetet e prokurimit publik kurdo që ata kanë argumente të besueshme.

Në anën tjetër, kompanitë anëtare të Odës Amerikane ngritën shqetësimet e tyre mbi çështjet e ndryshme dhe ofruan rekomandime se si ato çështje duhet adresuar nga institucionet e vendit.

Theks të veçantë u vë mbi rëndësinë e zgjerimit të listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore, rregullimin e vonesave në pagesa, krijimin e një formati unik të raportimit të pasqyrave financiare nga ana e bizneseve në institucione të ndryshme, promovimin dhe krijimin e mundësive të reja në qasjen në tregje të huaja për prodhuesit vendor,  si dhe eleminimin e barrierave tregtare me shtetet e rajonit.

Në përmbyllje të takimit u ritheksua nevoja për vazhdimin e partneritetit publiko-privat dhe aktivizimin e KKZhE-së për adresimin formal të sfidave të sektorit privat. Ministrja Bajrami u zotua për të ndihmuar bizneset edhe në adresimin e çështjeve që varen nga institucionet e tjera publike përmes këtij Këshill

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ministrja-bajrami-zotohet-per-perkrahje-te-sektorit-privat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala