Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët janë të kalueshme

Autori:Gazeta Fjala

Ministria e infrastrukturës e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme.

Rexhë Osmanaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit për menaxhimin e rrugëve, tha se vështirësi në qarkullim ka në viset malore.

“Rrugët kryesore nuk janë të mbuluara me borë. Në bazë të informatave që i kemi nga menaxherët rajonalë e që janë në terren, me përjashtim të rrugëve malore ku ka më shumë të reshura dhe qarkullimi është më i vështirësuar, rrugët e tjera janë të kalueshme”, tha Osmanaj.

Raportohet se problemet me të mëdha në qarkullim janë në rrugën Pejë – Kullë – Rrozhajë dhe në Zhur e Dragash.
Ministria e Infrastrukturës i ka angazhuar 14 kompani për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale.

Sipas Rexhë Osmanajt, të gjitha kompanitë e angazhuara janë në terren dhe bëjnë kujdestari edhe gjatë natës.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e në veçanti drejtueseve te automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve.

“Policia e Kosovës vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të trafikut, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma ligjore janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, thuhet në një komunikatë për media nga Policia e Kosovës.

Në raportin e fundit të policisë për 24 orë thuhet se si pasoja e aksidenteve janë lënduar 22 persona nga 79 aksidentet që kanë ndodhur .

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ministria-e-infrastruktures-te-gjitha-rruget-jane-te-kalueshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala