Ministria e Financave, pagesa pa kontratë për provizione bankare

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Financave kishte dhënë subvencione për Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në vlerë prej 1,499,190 euro dhe kishte subvencionuar provizionin bankar ndaj Bankës Komerciale në lidhje me shpërndarjen pensioneve për përfituesit e kategorive të caktuara në vlerë prej 1,061,881 euro.

Sipas Auditorit të përgjithshëm, Ministria e Financave (MF) pa nënshkruar memorandum mirëkuptimi dhe pa marrëveshje me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) kishte bërë pagesa për Bankën Private të Biznesit (BPB) në emër të provizioneve bankare në lidhje me shpërndarjen e pensioneve për përfituesit e skemës sociale.

Më tutje, MPMS-së i kishte skaduar kontrata me BPB-në me datën 15.03.2014. Për periudhën mars-qershor 2014, Ministria e Financave kishte kryer pagesën në BPB në vlerë prej 134,412 euro në mungesë të kontratës valide.

MPMS-ja në muajin nëntor kishte arritur memorandume mirëkuptimi me bankat komerciale për pagesën e skemave pensionale. Marrëveshjet përcaktojnë që MPMS-ja do t’iu paguajë bankave komerciale provizionin bankar prej pesë 5 euro në vit dhe 0,41 centë për muaj për çdo llogari aktive pensionale.

“Me rastin e testimit të 19 pagesave kemi vërejtur se bankat komerciale kishin faturuar çmimin mujor për çdo llogari aktive nga 0.42 centë. Në muajin dhjetor në total janë kryer pagesa për provizione bankare në vlerë prej 751,944 euro. Sipas çmimit të kontraktuar është dashtë të paguhen 745,970€. Andaj kishte një mbi pagesë në vlerë prej 5,974 euro”, thekson Auditori.

Sipas Auditorit, menaxhimi i pagesave për provizionet bankare në mungesë të një baze të qartë ligjore si dhe gabimet në kalkulimin e pagesave për provizione rrezikojnë shpenzimin e buxhetit në mënyrë të jashtëligjshme dhe dëmtojnë buxhetin e Kosovës.

Andaj, për këtë çështje Auditori ka dhënë edhe rekomandimet, duke konstatuar se ministri duhet të sigurojë se shpenzimet e planifikuara për provizione bankare menaxhohen duke u mbështetur në bazën e qartë ligjore dhe po ashtu të sigurojë që zyrtarët përkatës kanë shtuar kujdesin gjatë llogaritjes së provizioneve me qëllim që ato të jenë të sakta dhe të bazuara në kontratë.

Po ashtu, Auditori ka gjetur dobësi sistematike në prokurim. Qëllimi i Ligjit të prokurimit publik (LPP ) është të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike të autoriteteve kontraktuese (AK).

Ministria e Financave, sipas Auditorit, kishte kryer 50 aktivitete të prokurimit në vend të 32 aktiviteteve. Nga kontratat e realizuara 19 ishin me kuotim çmimi, 17 me vlerë minimale, 11 me procedurë të hapur dhe 3 me procedura njëburimore.

Shmangia nga procedurat e hapura pamundëson një proces konkurrues dhe transparent dhe rrezikon vlerën për paranë e shpenzuar.

Lidhur me e prokurimin “Shërbime bankare për të gjitha organizatat buxhetore” kontrata i është dhënë operatorit ekonomik oferta e të cilit nuk i kishte të gjitha informatat e kërkuara me dosjen e tenderit.

Sipas dosjes së tenderit, ofertuesve ju kërkohet që të dërgojnë ofertën e kostos me çmim për njësi për të gjitha shërbimet dhe pozicionet, mirëpo, nga 34 pozicione të kërkuara, oferta e fituesit kishte çmimin vetëm për 13 pozicione. Veç kësaj, fituesi i kontratës, si dhe ofertuesi i dytë i shpallur i përgjegjshëm nuk kishin ofruar ndonjë dëshmi rreth plotësimit të kriterit të kërkuar që të kenë filialet e hapura në të gjitha komunat e Kosovës.

“Përzgjedhja e operatorit ekonomik pa plotësimin e kritereve të caktuara, rrezikon blerjen e shërbimeve me çmime më të larta dhe pamundëson sigurimin e shërbimeve për të gjitha Komunat e Kosovës”, thekson Auditori.

Lidhur me prokurimin, “Shërbime bankare për misionet diplomatike jashtë vendit” ofertat e dy operatorëve ekonomikë nuk e kishin çmimin e përgjithshëm të tenderit (as në shifra e as në fjalë) ashtu siç kërkohej me dosjen përkatëse të tenderit për përmbushjen e kritereve në aspektin administrativ.

“Andaj, këta dy operatorë ekonomik është dashur të kualifikohen të papërgjegjshëm në aspektin administrativ dhe të anulohet aktiviteti. Përzgjedhja e operatorit ekonomik pa plotësimin e kritereve rrit rrezikun e anashkalimit të procedurave ligjore dhe po ashtu rrit edhe rrezikun pёr menaxhim jo tё mirё tё parasё publike”, thekson Auditori.

Po ashtu, Auditori kishte gjetur mangësi edhe në projektin e ndërtimit të Fabrikës së ujit – Vushtrri. Ministria e Financave dhe Komisioni Evropian kishin arritur marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit, “Dizajnimi dhe ndërtimi i ujësjellësit rajonal për Komunën e Vushtrrisë” përmes fondeve të instrumentit para anëtarësimit (IPA).

Mirëpo, pas ndryshimit të destinimit të buxhetit dhe programit të KE-së, ministria merr përsipër financimin e tërësishëm të këtij projekti. Procedurat e prokurimit i kishte zhvilluar ministria dhe me datën 10.11.2010 kishte nënshkruar kontratën trevjeçare me koston totale prej 8,273,653 euro.

Projekti do të duhej të përfundonte deri në dhjetor 2013. Mirëpo, kah fundi i vitit 2013, pas rekomandimit të kompanisë mbikëqyrëse, afati për realizimin e projektit ishte shtyrë për 294 ditë pune. Në dhjetor 2014 Ministria e Financave ka aprovuar kryerjen e pozicioneve/punë shtesë dhe pastaj ka nënshkruar aneks kontratë me punë kryesin e njëjtë në vlerë prej 497,687 euro. Deri në përfundimin e auditimit, sipas kompanisë mbikëqyrëse dhe zyrtarëve të MF-së, projekti kishte përfunduar dhe pritej pranimi teknik.

Sipas Auditorit, të gjeturat në këtë projekt ishin: Mangësi në rekomandimin e dhënë për zgjatjen e afatit të kryerjes së punimeve nga kompania mbikëqyrëse; mangësi në aprovimin dhe menaxhimin e punëve shtesë; dhe vonesë në realizimin e projektit.

Zgjatja e afatit për kryerjen e punimeve në kundërshtim me kushtet e kontratës. Sipas kontratës dhe planit dinamik të kontraktuesit, punimet do të duhej të përfundonin deri në dhjetor 2013. Kontrata parashihte mundësinë e shtyrjes së afatit për më së shumti 44 ditë dhe atë 22 ditë për shkak të motit ekstrem dhe 22 ditë tjera për shkak të kushteve të këqija të tokës ( d.m.th shkëmbi apo niveli i lart i ujit). Përkundër kësaj, afati i punimeve ishte shtyrë për 294 ditë pune. Vonesa prej 131 ditësh ishte arsyetuar për kushte klimatike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ministria-e-financave-pagesa-pa-kontrate-per-provizione-bankare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala