Ministria e Diasporës shpërfilli prokurimin në disa shpenzime

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Diasporës ka bërë shpenzime duke shpërfillur prokurimin publik, nërsa gjatë testimit të vetëm 15 mostrave të pagesave në vlerë prej 36,894 euro, janë gjetur mangësi nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP).

Këto kishin të bënin me avanset e udhëtimeve jashtë vendit, shpenzimet e telefonit, si dhe shpenzime tjera komunale.

Në raportin e ZAP-it, lidhur me auditivin e pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Diasporës për vitin 2014, dobësitë e identifikuara në këtë fushë tregojnë se procesi i monitorimit duhet të shtohet.

Për realizimin e projektit “Rrjetëzimi i bizneseve në diasporë”, si dhe ekskursionet e nxënësve në Shqipëri në vitin 2014, sipas ZAP-it, Ministria e Diasporës kishte kryer pagesat me para të gatshme në vlerë totale 12,656 euro.

Në këto shpenzime përfshihej edhe shfrytëzimi i hapësirave për zhvillim të aktiviteteve. Ky lloj i pagesave ishte ndërprerë nga qershori, kur edhe ishte pranuar rekomandimi në raportin e auditimit për vitin 2013.

Një zyrtar i kësaj ministrie, sipas ZAP-it, për dy net të qëndrimit kishte tejkaluar limitet për shpenzime të akomodimit për 284 euro si rezultat i vonesës në rezervim. Ndërsa dy avanse në vlerë 10,617 euro, nuk ishin mbyllur brenda afatit kohor ligjor pa ndonjë arsyetim.

Ministria e Diasporës edhe pse kishte të miratuar rregulloren për zgjedhjen e drejtorëve për qendra kulturore në diasporë, në mungesë të rekrutimit për shkak të mos miratimit të rritjes së buxhetit në këtë kategori, kishte vazhduar t’i paguante tre drejtorë të qendrave kulturore nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve pasi që me ta ende kishte marrëveshje për shërbime të veçanta. Vlera e këtyre pagesave ishte 47,374 euro.

“Pagesat me para të gatshme rrisin rrezikun e keqmenaxhimit të tyre duke ekspozuar paranë ndaj dëmtimit apo humbjes eventuale. Aprovimi i pagesave mbi limitet e lejuara, si dhe pagesat e drejtorëve të qendrave kulturore nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, rrisin rrezikun e mbishpenzimit të buxhetit të kësaj kategorie dhe në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe jo në përputhje me planifikimin e buxhetit. Kontrollet jo efektive në mbylljen e avanceve rrisin rrezikun e moskthimit të mjeteve dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime tjera”, thekson ZAP-i.

ZAP-i rekomandon që ministri duhet të sigurojë që pagesat për projektet e realizuara jashtë vendit të  kryhen përmes transfereve bankare dhe paraprakisht të nënshkruhet marrëveshja. Të sigurojë kontrolle efektive mbi shpenzimin e udhëtimeve jashtë vendit, duke u respektuar limitet dhe afatet e aprovuara dhe të synohet që në bashkëpunim edhe me qeverinë të gjendet një zgjidhje në mënyrë që pagesat e të gjithë nëpunësve të kryhet përmes sistemit të pagave.

Ministria pjesërisht ka arritur të vendos dhe zbatojë kontrolle efektive, në mënyrë që të sigurohet se paratë e shpenzuara nga kjo kategori janë përdorur plotësisht për qëllimet e synuara. Niveli i ulët i kontrollit për këtë kategori ishte sidomos gjatë vlerësimit të aplikacioneve dhe mbikëqyrjes rreth raportimit për shpenzimet e ndodhura.

Testimet e ZAP-it për këtë kategori kanë shpalosur edhe të gjeturën se Ministria e Diasporës ka subvencionuar 10 projekte në vlerë 20,500 euro pa kaluar përmes komisionit për vlerësim të subvencioneve. Ky komision kishte mandat për vlerësimin e aplikacioneve,të cilat ishin parashtruar brenda afatit të përcaktuar në shpalljen publike.

Kërkesat për këto projekte ishin parashtruar në ministri, pas përfundimit të përzgjedhjes së projekteve nga komisioni vlerësues. Rekomandimi për këto projekte ishte kryer nga departamentet relevante dhe ishin aprovuar nga ZKA. Ne vërejtëm se kishte vonesa nga përfituesit e subvencioneve në dorëzim të raporteve financiare dhe dëshmive lidhur me realizimin e projekteve të subvencionuara. Në gjashtë raste vonesat në raportime ishin deri në gjashtë muaj.

“Dhënia e subvencioneve duke anashkaluar komisionin e vlerësimit si dhe vonesat e raportimeve financiare nga përfituesit rrezikon që këto subvencione të mos jenë për qëllimet e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe në të njëjtën kohë të mos ketë kontroll rreth subvencioneve të dhëna”, konstaton ZAP-i.

Ministri duhet të sigurojë se çdo subvencion i dhënë aprovohet nga komisioni i vlerësimit, i cili shqyrton çdo kërkesë për subvencionim dhe se përzgjedhja e projekteve bëhet sipas kërkesave të rregullores përkatëse.

Po ashtu të shtohen masat e kontrollit rreth monitorimit të projekteve të subvencionuara në mënyrë që të sigurohen raporte të rregullta nga përfituesit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ministria-e-diaspores-shperfilli-prokurimin-ne-disa-shpenzime/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala