Ministri Kuçi vizitoi institucionet në pjesën veriore të Mitrovicës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi vizitoi sot Komunën e Mitrovicës së veriut dhe u prit nga kryetari i kësaj komune Goran Rakiq dhe Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Komunës së Mitrovicës së veriut.

Ata, sipas njoftimeve, bashkërisht vizituan objektin ku do te vendoset Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore për pjesën veriore, për të parë nga afër përgatitjet që janë duke u bërë dhe të dyja palët u dakorduan për përshpejtimin e punëve që objekti të jetë funksional në afatin optimal.

Ministri Kuçi dhe Rakiq e kanë vlerësuar të rëndësishëm implementimin e plotë të pikave të Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur në Bruksel, e cila garanton sistemin unik të drejtësisë në Kosovë dhe ofron drejtësi për të gjithë qytetarët.

Politika integruese është e vetmja politikë që garanton integrimin dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të asaj pjese të Kosovës, vlerësoi ministri Kuçi.

Gjatë vizitës në Mitrovicën e Veriut ministri Kuçi i shoqëruar edhe nga zëvendës shefja e misionit EULEX, znj. Joelle Vachter, ka vizituar edhe Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën e veriut, ku është pritur nga drejtori Milan Radojeviq.

Ministri Kuçi e ka vlerësuar këtë institucion si shembull shumë të mirë të integrimit dhe profesionalizmit.

Ai e ka përgëzuar drejtorin për lidershipin e treguar dhe i ka ofruar mbështetjen e vazhdueshme për këtë institucion.

Ministri Kuçi ka theksuar se shumë shpejt do të fillojë punën Gjykata Themelore në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila do të ketë efektet e saj pozitive edhe për Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, sepse nuk mund të ketë drejtësi funksionale pa gjykata dhe shërbim korrektues funksional.

Vizita e sotme e Ministrit Kuçi në Mitrovicën e Veriut është pjesë e angazhimit dhe përkushtimit të tij dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të funksionalizuar të gjitha strukturat e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në gjithë territorin e saj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ministri-kuci-vizitoi-institucionet-ne-pjesen-veriore-te-mitrovices/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala