Ministri Bajrami kërkon ndihmën e gjermanëve rreth arsimit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Gjermani, është pritur sot në takim nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës të Gjermanisë, znj. Johanna Wanka, me të cilën ka biseduar për mundësi të reja të bashkëpunimit në arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, por edhe në fushën e hulumtimit shkencor.
Gjatë takimit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veqantë në arsimin profesional, duke theksuar se arsimi profesional ka rol të jashtëzakonshëm që të krijojë kuadro për tregun e punës.
Ministri Bajrami kërkoi ndihmën e shtetit gjerman për arsimin në Kosovë. Ai kërkoi që Gjermania po ashtu të ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e bërjes anëtare dhe pjesë e Bolonjës.
Ministrat e Arsimit të dy vendeve biseduan edhe për bashkëpunim në arsimin e lartë, ndërsa ministri Bajrami kërkoi që të ketë bashkëpunim mes universiteteve kosovare dhe gjermane, duke realizuar programe të përbashkëta, shkëmbime të studentëve dhe të stafit akademik.
Ministrja gjermane e ka falënderuar për vizitën ministrin Bajrami dhe ka garantuar mbështetjen gjermane për Kosovën në fushën e arsimit. Ministrja po ashtu theksoi se e inkurajon Kosovën që të aplikojë në fonde evropiane për mbështetje në arsim dhe shkencë. Ajo u shpreh e gëzuar për faktin se Kosova është në rrugën e Bolonjës sa i përket arsimit të lartë.
Ministri Bajrami e ftoi ministren Wanka për vizitë zyrtare në Kosovë.