Mimoza Kusari sakrifikon Anton Çettën për Fadil Hoxhën

Autori:Avdyl Pajaziti

Mimoza Kusari dhe AKR po sakrifikojnë bustin e Anton Çettës për atë të Fadil Hoxhës. Ajo nuk e ka ndërmend ta vendosë bustin e ish liderit të pajtimit të gjaqeve për shkak të ish liderit komunist. Ka disa vjet që figura e gdhendur në bronz e plakut të urtë kosovar qëndron në një atele në Prishtinë i porositur enkas për t’u vendosur në një lokalitet në Gjakovë. Madje, për këtë kishte vendosur vet asambleja komunale. Por, busti tjetër, ai i Fadil Hoxhës nuk është gati dhe për këtë Kusari nuk po e vendosë as të Çettës.

Në këtë aspekt, kompromisi i gjetur pas insistimit të AKR-së që të vendoseshin të dy personalitetet, njëri që bashkoi popullin shqiptar duke i prirë pajtimit të gjaqeve, e tjetri që për disa dekada u përpoq t’i bashkonte shqiptarët e serbët, nuk po zbatohet.

Kusari po ia mban anën haptas edhe në këtë garë ish liderit komunist. Madje, po e bën këtë  duke amnistuar vetveten.

E para e Gjakovës, në një emision të edituar në televizionin publik ka thënë se kuvendi i kaluar komunal kishte marrë vendim për bustin e Hoxhës. Por, e vërteta është ndryshe.

Gazeta Fjala merr vesh se ka qenë pikërisht AKR ajo e cila ka kërkuar vendosjen e bustit të ish liderit komunist dhe figurës qendrore të pajtimit të shqiptarëve. Madje, për këtë kishte grumbulluar plot 3000 nënshkrime të qytetarëve gjakovarë nën maskën e kërkesave të shoqërisë civile.

Këto i kishte dorëzuar asamblistja e atëhershme e AKR-së, Rina Domi në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Gjakovës ku ishte vendosur për këto buste. Partia e Kusarit e kishte bërë këtë duke i barazuar këto dy figura.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me ish asamblistin e AKR-së.

“Po, është e vërtetë se unë e kam inicuar kërkesën për në Kuvendin Komunal. Madje, ka pasur edhe peticion për këtë çështje”, ka thënë Domi për Gazetën Fjala në telefonatën e parë.

Ajo ka thirrur herën e dytë dhe e ka mohuar këtë, dukë thënë se këtë e ka bërë shoqëria civile dhe Komiteti për Politikë dhe Financa i komunës.

Kuvendi Komunal i Gjakovës kishte votuar pro vendosjes së bustave. Ishin gjendur edhe lokacionet, por ai për Fadil Hoxhën ishte pronë private. Kuvendi Komunal nuk mundi të vendoste në bazë të procesverbalit të mbledhjes. Por, për Çettën ishte gjetur lokacioni dhe busti është i gatshëm.

Por, Kusari nuk po e vendosë atë, pasi as lokacioni e as busti i autorit të thënies së famshme “bira e minit 300 grosh”, drejtuar demonstruesve të ’81-tës nuk janë të gatshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mimoza-kusari-sakrifikon-anton-cetten-per-fadil-hoxhen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala