Miliona për rrugë të dobëta

Autori:Zekirja Shabani

Ndërtimi i rrugëve në Kosovë nuk është realizuar sipas cilësisë së duhur dhe kjo ka bërë që të ketë riparime të shpeshta në rrjetin rrugor, konsiderojnë ekspertë të kësaj fushe.

 

Selman Buqolli, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se kompanitë për ndërtimin e rrugëve në Kosovë, nuk janë të specializuara sa duhet, të përfundojnë një rrugë me teknologji adekuate dhe me renditje të punës.

 

“Në qoftë se nuk bëhet mirë sanimi, atëherë vetëm po hidhenparatë në ‘baltë’ dhe pas dy tri vitesh prapë po duhet të riparohen. Kështu që nuk ka kontrolle të mira të mbikëqyrjes”, thotë Buqolli.

Sipas tij, nevojitet një përcjellje adekuate, një mbikëqyrje profesionale, me hulumtime në institute, për të arritur deri te rezultati.

Edhe profesori tjetër në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Esat Gashi, thotë se elementi i cilësisë është shumëdimensional, kështu që në Kosovë ka rrugë të ndërtuara mirë, por ka edhe shumë të dobëta.

 

Në përgjithësi, Gashi thotë se cilësia e ndërtimit të rrugëve lë për të dëshiruar.

 

“Problemi qëndron prej planifikimit të dobët, projektimit të dobët, ekzekutimit të dobët dhe më problematikja që është mirëmbajtja e dobët. Të gjitha këto ‘lëngojnë’ dhe ka hapësirë për përmirësim”.

Edhe përfaqësues të Shoqatës së kompanive për ndërtimin e rrugëve, pranojnë se viteve të fundit, në tregun e Kosovës kanë hyrë kompani joprofesionale.

Haziz Rysha, nga kjo shoqatë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Kosovë operojnë mbi 900 kompani për ndërtimin e rrugëve dhe siç thotë ai, jo të gjitha këto arrijnë të ndërtojnë rrugë cilësore.

Ai, madje, konsideron se edhe Ligji i Prokurimit mundëson funksionimin e tyre, pasi kriteret e kërkuara për realizimin e ndonjë projekti, janë shumë të ulëta.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/miliona-per-rruge-te-dobeta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala