Milaim Zeka deklarohet i pafajshëm

Milaim Zeka e Rrustem Rukolli janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat me të cilat ngarkohen.
Pasi prokurori Romulo Mateus lexoi aktakuzën, kryetarja e trupit gjykues i pyeti dy të akuzuarit se a e kanë kuptuar se për çfarë akuzohen dhe si ndihen në lidhje me akuzat.
Të dy, Milaim Zeka dhe Rrustem Rukolli thanë se ndihen të pafajshëm dhe e kanë të qartë aktakuzën.
Sipas prokurorit, Rukolli ia ka dhënë Zekës shkresat e lëndës PP 27/12, ndërsa në bazë të atyre shkresave Milaim Zeka është takuar me një dëshmitar të mbrojtur për ta bindur atë që t’i shfajësojë të akuzuarit e kësaj lënde.
Lënda PP 27/12 lidhet me aktakuzën ndaj “Grupit Drenica”.
Rrustem Rukolli duke e shfrytëzuar mundësinë e tij si njëri nga përfaqësuesit në ekipin mbrojtës të Sami Lushtakut dhe duke i pasur të gjitha shkresat e prokurorisë në lëndën PP 27/12, këto informata ia ka përcjellë Milaim Zekës, i cili më pas e ka takuar dëshmitarin e koduar si ‘Dëshmitari I’ në atë rast dhe në restorantin ‘Dibra’ në Skenderaj në prezencën e një numri të madh të njerëzve ka tentuar që ta bindë atë që të shfajësojë ata të akuzuar,” tha prokurori gjatë leximit të aktakuzës.
Prokurori bëri të ditur se takimet e Zekës me “Dëshmitarin I” ndodhën “nga 28 tetori deri më 5 nëntor 2013”.
Prokurori shprehu bindjen se do të vërtetojë gjatë gjykimit fajësinë e të akuzuarve.
“Prokuroria do të ofrojë prova të pakontestueshme me të cilat vërteton se Milaim Zeka nuk ka vepruar i vetëm në këtë rast dhe se kishte interesim të madh për të gjitha shkresat në lëndën e ‘Grupit të Drenicës’. Gjithashtu audio-incizimet dhe thirrjet e tij telefonike dëshmojnë se ai është ndihmuar nga Rrustem Rukolli për t’i pasur shkresat e lëndës,” tha prokurori.
Seanca është duke vazhduar. /Kallxo.com/