Mësuesi i akuzuar për abuzim seksual me nxënësen: Gjithçka është një shpifje

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjykata e Lushnjës ka dhënë masën “arrest me burg” për mësuesin 62-vjeçar, i cili akuzohet se ka abuzuar me nxënësen 12-vjeçare. Demir Hoxha, mësues Fizike në shkollën 9-vjeçare në Kryekuq, u denoncua nga familjarët e vajzës pasi kjo e fundit refuzonte të shkonte në shkollë.

Hoxha para gjykatës nuk ka pranuar akuzën duke thënë se janë vetëm shpifje. “Gjithçka është një shpifje. Asnjë nuk është e vërtetë”, është shprehur 62-vjeçari. Mohimi i akuzave vjen në një kohë kur, sipas policisë gjatë ballafaqimit me kamera të fshehtë në ambientet e komisariatit të policisë, Hoxha i ka kërkuar llogari nxënëses se përse ka treguar tek prindërit për marrëdhënien e tyre.

12-vjeçarja: Nuk e kundërshtoja dot

E mitura e dhunuar seksualisht nga mësuesi i saj foli para uniformave blu, në praninë e një psikologeje, për ngjarjen e rëndë. Demir Hoxha, mësues Fizike në shkollën 9-vjeçare në Kryekuq të Divjakës, u denoncua nga familjarët e vajzës pasi kjo e fundit refuzonte të shkonte në shkollë. Vajza e mitur ka rrëfyer se si është abuzuar seksualisht nga mësuesi i saj kujdestar, 62-vjeçari Hoxha. “Nuk e kundërshtoja dot, sepse kisha frikë. Ai më bënte presion, më thoshte të mos kundërshtoja e të mos i tregoja askujt. Nuk i tregova askujt, se më vinte turp. Kisha frikë të vija në shkollë dhe në fund i tregova mamasë”, ishin këto fjalët e thëna nga e mitura. Abuzimi mësohet se kishte nisur disa muaj më parë. Mësuesi e mbante nxënësen e mitur jashtë orarit të mësimeve, vetëm në klasë, duke e angazhuar me korrigjimin e provimeve.

Hetuesit: Kemi prova të pakundërshtueshme

Ngjarja e rëndë, ku mësuesi Demir Hoxha akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një nxënëse 12-vjeçare në ambientet e shkollës “Hysen Malko” në fshatin Kryekuq të Divjakës, vazhdon të shqetësojë gjithë opinionin publik. Organi i akuzës po punon për mbledhjen e provave, ndërsa sot pritet që Gjykata e Lushnjes të japë masën e sigurisë për 62-vjeçarin.

Burime nga grupi hetimor thonë se, provat e mbledhura për të janë të pakundërshtueshme. Ato nisin me deklarimet e të miturës nga Kryekuqi i Divjakës, ekspertizën mjeko-ligjore, si dhe më e fundit, përgjimet ambientale, në ambientet e komisariatit, ku mësuesit iu ngrit “kurthi” nga ana e uniformave blu.

Deri në atë kohë, Demir Hoxha ishte i qetë, pasi nuk e kishte pranuar se kishte abuzuar me vajzën. I pyetur nëse ishin të vërteta thëniet e vajzës, nxënëses së shkollës “Hysen Malko”, e cila kishte bërë denoncimin kundër mësuesit për marrëdhënie seksuale me dhunë, Demir Hoxha i ka mohuar kategorikisht.

Ai ka pretenduar se gjithçka ishte sajuar kundër figurës së tij, ndonëse e vërteta u zbulua më vonë, kur gjatë ballafaqimit të përgjuar ai i tha vajzës: “Pse i ke treguar prindërve? Në qoftë se do të kishe ngelur shtatzënë, do të të çoja në një spital në Lushnje për të abortuar”. Ndërsa ora shënonte 20:00, policia i vuri prangat mësuesit përdhunues, me akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë, në mënyrë të përsëritur, me të mitur.

Ajo çka e ka bërë këtë ngjarje edhe më tronditëse është se mësuesi kishte një eksperiencë 43-vjeçare në arsim dhe mbi 20 vjet në shkollën e fshatit Kryekuq. Banorët e fshatit, kolegët dhe njerëzit që e njihnin shprehen të shokuar, pasi mësuesi nuk kishte krijuar përshtypje se mund të kryente veprime të tilla.

Përveç punës si mësues fizike në shkollën 9-vjeçare, ai punonte edhe si elektricist, ku herë pas here shkonte në shtëpitë e bashkëfshatarëve për ndonjë defekt. Ai njihet prej të gjithëve si njeri i urtë dhe familjar i rregullt, megjithëse kohët e fundit kishte nisur të qëndronte i veçuar dhe të mos përzihej me askënd.

Bashkëshortja: Nëse është e vërtetë, të marrë dënimin e merituar

Ndërkohë Burbuqe Hoxha, bashkëshortja e mësuesit të arrestuar për abuzim me nxënësen e tij 12-vjeçare, ndodhet në një gjendje shumë të vështirë emocionale. Ajo nuk ka ditur dhe as ka dyshuar për asgjë, para se të ndodhte arrestimi i tij në datën 2 qershor. Në një prononcim për medien, ajo shprehet se gjithçka e ka mësuar nëpërmjet edicioneve informative dhe ende nuk arrin të besojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Bashkëshortja e 62-vjeçarit Demir Hoxha tha se më 2 qershor, ditën e arrestimit, burri i saj ishte duke punuar në arë, kur në banesë mbërritën efektivët e policisë. Sipas saj, ata e morën bashkëshortin dhe nuk i treguan asgjë për arsyen e shoqërimit në polici.

Ajo e ka të vështirë ta besojë këtë histori si të vërtetë, pasi me 62-vjeçarin Demir Hoxha ndan shumë vite martese dhe ai është babai i 6 fëmijëve të saj. Burbuqe Hoxha i ka bërë thirrje organeve kompetente që t’i mundësojnë një takim me bashkëshortin e saj në ambientet e qelisë për të sqaruar këtë çështje me Demir Hoxhën. “Nëse gjithçka është e vërtetë, atëherë ai duhet të marrë dënimin e merituar, por nëse ky skandal nuk është i vërtetë, atëherë drejtësia të vihet në vend”, është shprehur ajo.

Familja e mësuesit dhe familja e vajzës njiheshin me njëra-tjetrën dhe nuk kanë pasur kurrë probleme, madje babai i 12-vjeçares, i cili ishte emigrant, shpesh ulej në kafe me mësuesin kujdestar të së bijës. Po aq të rënduar janë edhe fëmijët e çiftit Hoxha, të cilët e panë emrin e babait të tyre në të gjitha mediet. Redjani 26 vjeç dhe Oldjani 19 vjeç thonë se nuk kanë pasur kurrë probleme dhe konflikte me familjen e vajzës. Ata nuk e besojnë historinë e abuzimit, pasi shprehen se i ati është në një moshë të tillë që nuk mund të bëjë veprime të kësaj natyre. “Kërkojmë drejtësi, kërkojmë që kjo çështje të zbardhet sa më parë”, thotë Redjani.

Mësuesi i fizikës Demir Hoxha edhe për pak kohë do të dilte në pension, mirëpo kjo ngjarje bëri që ai ta mbyllë me një fund të shëmtuar detyrën e tij si mësues. Shumë e ashpër është treguar edhe Ministria e Arsimit me Demir Hoxhën, duke e quajtur si pseudo-mësues që do të do të marrë dënimin e merituar. /D.B./

Mësuesi: Pse u tregove prindërve?

DIVJAKË – Një mësues i shkollës 9-vjeçare në fshatin Kryekuq të Divjakës është arrestuar nga policia pasi akuzohet për marrëdhënie seksuale me të mitur dhe shpërdorim detyre. 62-vjeçari Demir Hoxha, sipas hetimeve paraprake dyshohet se kryente vazhdimisht marrëdhënie seksuale me dhunë në ambientet e shkollës me një nxënëse 12-vjeçare.

Denoncimi është bërë nga familjarët e nxënëses së dhunuar seksualisht me inicialet A.K.. Mësuesi, banorë i fshatit Zharnec është vënë në pranga nga policia dhe çështja e tij do t’i kalojë Prokurorisë së Lushnjës për hetime të mëtejshme.

“U bë ndalimi i shtetasit Demir Hoxha, i datëlindjes 28.03.1953, lindur ne Gramsh dhe banues në fshatin Zharnec, Divjakë, me profesion mësues. Ndalimi i këtij shtetasi u bë për arsye se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë në mënyrë të përsëritur me shtetasen e mitur A.K., duke shfrytëzuar detyrën si mësues kujdestar i saj në shkollën 9-vjeçare, ngjarje kjo e ndodhur në ambientet e kësaj shkolle”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ballafaqimi me kamera të fshehtë

Në ambientet e policisë në Komisariatin e Lushnjës ka pasur një ballafaqim mes mësuesit të arrestuar dhe nxënëses së abuzuar. Demir Hoxha ka pyetur 12-vjeçaren se përse u ka treguar prindërve duke thënë se në rast se do të kishte mbetur shtatzënë do ta dërgonte në spital për të abortuar. “Pse u tregove prindërve? Nëse do të kishte mbetur shtatzënë do të dërgoja në spital të abortoje”, i është drejtuar 62-vjeçari nxënëses së mitur.

Historia

Ngjarja është zbuluar nga nëna e 12-vjeçares pasi e mitura e ka pyetur nënën e saj sesi mund të ngelesh shtatzënë. Interesimi i 12-vjeçares për këtë gjë, ka bërë që nëna e saj të dyshojë dhe të kërkoj nga vajza t’i shprehë shqetësimet e saj. Pas insistimit të nënës, e mitura A.K., ka rrëfyer për abuzimin që mësuesi kujdestar kryente me të.

Pasi prindërit e saj kanë kryer denoncim në polici, 12-vjeçarja ka dëshmuar në prani të psikologut. Nga dëshmia e saj mësohet se mësuesi Demir Hoxha kishte abuzuar dy herë më të. Abuzimi i parë seksual ka qënë në muajin shkurt të këtij viti dhe rasti i dytë më 29 maj brenda ambienteve të shkollës 9-vjeçare.

E afërmja: Abuzimi në klasën e mësimit

Pas denoncimit të ngjarjes tronditëse që ka përfshirë një shkollë 9­-vjeçare në Divjakë, vijnë edhe dëshmitë tronditëse. Një e afërme e të miturës së abuzuar nga mësuesi 62-­vjeçar ka rrëfyer për televizionin “News24” të tjera detaje tragjike të kësaj ngjarjeje. Jetmira Kishto tha se nga rrëfimi që 12­vjeçarja ka bërë para nënës së saj, ka treguar se abuzimi ndodhte në mëngjes në orën 7:30, ndërsa rasti më i fundit kishte ndodhur para 5 ditësh, në datë 29. “Vajza i tregoi të ëmës për abuzimin. Abuzimi ndodhte në mëngjes në orën 07:30. Abuzimi i fundit ndodhi këtë të premte në klasë. Gjithçka ndodhte në klasën ku bëhej mësim”, ka treguar e afërmja.

Drejtori: Kjo nuk ka ndodhur kurrë!

Drejtori i shkollës 9-vjeçare në një reagim mbi ngjarjen e ndodhur shprehet se, për mësuesin e arrestuar nuk ka pasur denoncime më parë. Vasil Rrushi duke e cilësuar ngjarjen tronditëse, thotë se mësuesi në fjalë njihej si njeri i rregullt. Ai thotë se, në 43 vite nuk kemi dëgjuar të ndodhë diçka e tillë. Drejtori i shkollës ka treguar më tej se mësuesi Demir Hoxha jepte mësim në ciklin fillor, ndërsa familja e nxënëses së abuzuar ishte e ardhur nga fshatrat e Gramshit.

“Ngjarja tronditëse, është e pabesueshme. 62­-vjeçari ishte mësues prej 20 vitesh në këtë shkollë. Nuk ka pasur denoncime më parë. Hoxha ishte mësues i klasës së pestë, klasa e tij ka mbi 20 nxënës. Ngjarjen tronditëse e mësuam nga mediet. Në shkollën “Hysen Malko” kjo s’ka ndodhur kurrë më parë. Presim nga organet e drejtësisë që ngjarja të hetohet”, është shprehur Rrushi.(Shekulli)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mesuesi-i-akuzuar-per-abuzim-seksual-me-nxenesen-gjithcka-eshte-nje-shpifje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala