Mesazhi i Kadri Veselit për Pavarësinë

Kadri Veseli, që ishte kryespiun i Kosovës në ditën kur u shpall pavarësia, në përvejtorin e 7 të shtetit u është drejtuar qytetarëve si kryetar i Parlamentit të Kosovës, të martën në seancën solemne.
Veseli që deri në qershor të vitit 2008, rendin dhe ligjin e kontrollonte nga nëntoka si udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës, pohon se ende sfida kryesore e shtetit sipas tij është sundimi i ligjit.
“Pas shtatë vitesh pavaarësi është koha e fundit që kosovën ta heqim nga lista e vendeve që ka problem me sundim të ligjit. Ta bëjmë sundimin e ligjit moralin tonë, nderin tonë, patriotizmin tonë”, ka thënë Veseli.
Ai në fjalimin e tij ka bërë të ditur se për të arritur këtë duhet ende punë.
“… Ndonëse jemi bërë pjesë e mekanizmave ndërkombëtar, na mbetet ende shumë punë për të bërë”.
Shtatë vite pas shpalljes së Kosovës shtet, krerët e vendit vlerësojnë se historia e re e Kosovës është përcjellë me sfida të mëdha dhe të tilla sfida e presin edhe në të ardhmen.