Mesazhet nga Kuvendi për UNESCO-n

Autori:Avdyl Pajaziti

Holli i Kuvendit të Kosovës është kthyer në Muze. Aty, me iniciativën e kryetarit Kadri Veseli, janë vendosur vitrina, të cilat mbajnë replikat e artefakteve të grabitura nga Serbia në vitin 1999.

Një ditë para votimit për anëtarësim me të drejta të plota për Kosovën në UNESCO, Kuvendi i Kosovës, ka vendosur që të kujtojë faktin se Serbia vazhdon t’i mbajë 1244 eksponate arkeologjike e etnologjike të cilat i mori nga Muzeu i Kosovës, kur u largua në vitin 1999 me ushtri e administratë.

Kadri Veseli ka shprehur besimin se Kosova nga nesër do të jetë anëtare me ta drejta të plota e UNESCO-s. Pas kësaj, ka thënë se Kuvendi do të mbajë një seancë solemne.

“Gjasat janë shumë të mira pasi kemi sinjale që edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën do të votojnë për anëtarësim. Kosova e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s”, ka thënë kreu i Kuvendit. “Falënderoj Muzeun e Kosovës për zbukurimin e hollit të Kuvendit me këto eksponate të vlefshme. Shumica e eksponateve janë ende në Beograd dhe presim që të kthehen në Kosovë”, ka shtuar më pas Veseli.

Eksponati parahistorik i Hyjneshës në Fron, i gjetur te Tjerrtorja në Prishtinë, është i vetmi artefakt i cili i është kthyer Kosovës nga Serbia, dhe atë në vitin 2002, me ndërmjetësimin e administratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Stainer.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mesazhet-nga-kuvendi-per-unesco-n/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala