Merkel viziton Turqinë; terrorizmi, refugjatët dhe Siria në axhendë

Autori:Gazeta Fjala

Kancelarja gjermane Angela Merkel udhëton të djelën drejt Turqisë, me një axhendë të ngjeshur bisedimesh mbi terrorizmin ndërkombëtar dhe luftën e përbashkët kundër tij, konfliktin sirian dhe, kryesorja, çështjen e refugjatëve, të kthyer në sfidën më të madhe të Europës sot.

Ndalesa e saj në Ankara mund të jetë një gur kilometrik për negociatat që liderët e BE-së shpresojnë fort se do t’i sjellin bashkëpunimin turk, aq të vyer në frenimin e vërshimit të emigrantëve drejt Perëndimit.

Por me Turqinë nuk është e lehtë të bësh parashikime, thotë “The Guardian”. Fundi i viteve ‘80 ishte koha kur presidenti i atëhershëm Turgut Ozal bënte vizita emocionuese në faltoret e lashta të grupeve turqishtfolëse Sufi, të Azisë Qendrore. Ishte koha kur diplomatët e atëhershëm të rinj dhe brilantë turq hidhnin ura komunikimi me Kaukazin.

Në qytetet bregdetare turke në Detin e Zi glonte tregëtia. Megjithatë, ishte dhe koha kur Turqia rinisi të zbulonte dimensionin e saj lindor e nën baticën e ngritjes së shtresës së mesme anadollake, që donte shkëputje nga laicizmi strikt, trashëgimi e Ataturkut, rigjeti rrënjët tradicionale myslimane.

Kjo, kujton prestigjozja britanike, solli nga fillimi i viteve 2000 daljen në skenë të partisë së moderuar islamike, AK-së, akoma edhe sot në pushtet. Citimi i një analisti tregon sesi e shihnin njerëzit atëherë situatën: “ikëm nga kazermat ushtarake në supermarket”, çka nënkuptonte kthesën e Turqisë nga regjimi ushtarak në një ekonomik.

E jo më larg se në 2011-n, do të përshkruhej si model i balancimit të Islamit me demokracinë. Po atëherë çfarë ndodhi? Çfarë shkoi keq?

Përgjigjen, “The Guardian” e kërkon tek mania e Erdogan për t’u kthyer në një “sulltan” të ri. Politikat e tij të fundit tregojnë se luftën me kurdët e nisi për të grumbulluar pas vetes nacionalistët dhe për të shtypur kundërshtarët me metodat e përhershme prej shteti policor. Politikën e jashtme e ka konfuze, forcat ruse i janë afruar rrezikshëm e ndërkohë, hendeku kulturor në vend sa vjen e thellohet.

Turqia që dikur aspironte të kthehej në fuqi rajonale, sot lufton me një ekonomi të ngadalësuar, pasiguritë dhe pakënaqësinë e brendshme.

E ndërsa BE-ja shprehet e gatshme t’ia shtojë ndihmën me qëllim menaxhimin e situatës së emigrantëve, zgjidhja e krizës shumëplanëshe të vendit, vazhdon “The Guardian”, do të kërkojë më shumë sesa thjesht fonde./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/merkel-viziton-turqine-terrorizmi-refugjatet-dhe-siria-ne-axhende/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala