Mërgimtarët kanë bërë mbi 30 orë për të hyrë në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjatë vikendit të kaluar mërgimtarët shqiptarë që jetojnë në kurbet, posaçërisht ata që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër, kanë bërë më shumë se 30 orë rrugëtim vetëm për të kaluar pushimet e tyre në Kosovë.

Albinfo.ch ishte të dielën herët në mëngjes në Merdar, ku bisedoi më disa bashkatdhetarë.“Jemi bërë me shkuar drejt e në spital”, tha një bashkatdhetar nga Gjermani.

“Kemi rënë në dert edhe me e vizituar edhe shtëpinë tonë. Jam nisur të premten në mbrëmje prej Shtutgartit, sot është e diel dhe ende duhet të presim edhe disa orë tash këtu në Merdar për të hyrë në Kosovë”, tregoi ai për albinfo.ch në kushte anonimiteti.

Një bashkatdhetar tjetër po ashtu nga Gjermania tregoi vuajtjet të cilat i ka pasur gjatë rrugëtimit të tij deri në Kosovë.

“Edhe buzëqeshja na është ngrirë. Deri tash 36 orë rrugëtim i kemi bërë. Jam me familje, edhe me fëmijë. Kjo është më shumë se katastrofë! Çfarë pushimi i thuhet kësaj, ku dëmtoj shëndetin tim dhe të familjes?”, pyet ai.

“Në Austri ka pasur kolonë, por prapë ka qenë më mirë se në shtetet e tjera. Tetë orë kemi pritur me e kalue kufirin Hungarinë – Serbi. Gjashtë – shtatë orë nëpër Serbi, ndërsa tash po presim që tri orë edhe më hy në Kosovë”, tregoi ai torturën që ka pësuar gjatë rrugës. “Jemi ba mos me ardh ma në këtë vend. Me ardh me aeroplan, sa problemet dhe mashtrimet me bileta, me ardh me vetura, pritje kur të vijmë e pritje kah të shkojmë. Na e kanë gërdit vendin dhe pushimin tonë”, tha ai.

Edhe një zyrtar i kufirit shqiptar i tha gazetës së ky vikend ka qenë më i frekuentuari gjatë këtij sezoni.

“Gjatë tërë sezonit nuk kemi pasur probleme me kolona të shumta, por ky vikend ka qenë më i ngarkuari dhe na ka bllokuar të gjithëve. 90 % e këtyre bashkatdhetarëve gjatë këtij vikendi kanë ardhur nga Gjermania”, shprehet ai pa dashur t’i përmendet emri.

Në anën tjetër, hiq më mirë nuk e kanë kaluar as bashkatdhetarët tanë të cilët prisnin në Merdar derisa ishin duke u kthyer nga pushimet në Kosovë për të shkuar në vendet e tyre ku punojnë dhe veprojnë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mergimtaret-kane-bere-mbi-30-ore-per-te-hyre-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala