Mediet gjermane: Në Ballkan, korrupsioni në shkallë të gjerë dhe qeveri autoritare

Autori:Avdyl Pajaziti

Vizita e Kancelares Angela Merkel në Ballkan po ndiqet me vëmendje, si në vendet mikpritëse, ashtu dhe në Gjermani, ku analistë të ndryshëm përpiqen të nxjerrin në pah, sa qëllimet e kësaj lëvizjeje, ashtu edhe vështirësitë e saj.

Papunësia e lartë, korrupsioni i gjerë dhe elitat autoritare politike janë disa nga gjërat e përbashkëta të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë  thotë “Deutsche Welle”, – e cila kujton sesi sondazhet tregojnë, që joshja për Bashkimin Europian në këto vende ka nisur të zbehet.

Arsyet kryesore janë paralajmërimet e Brukselit se, në 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE.

Në një kohë, kur tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë përshkallëzuar, ndalesa e Merkelit në rajonin e konsideruar prej shekujsh si “fuçi baruti” synon, ndër të tjera, sipas kryetarit të Komisionit të BE-së në Bundestag, Gunther Krichbaum, edhe kufizimin e influencës ruse në Ballkan. “Vendet duhet të vendosin vetë se, në ç’drejtim duan të shkojnë. Vlerat, të cilat i respektojmë ne në BE, dallojnë nga ato, të cilat i respekton Rusia dhe qeveria e zotit Putin”, thotë Krichbaum.

Dusan Reljiç, drejtues i Zyrës së Fondacionit gjerman për Shkencë dhe Politikë, në Bruksel, citohet të pohojë se, me këtë vizitë të sajën, Merkel do të dëshmojë “rëndësinë e Ballkanit për Gjermaninë dhe BE-në”.

Për shkak të krizës aktuale në Greqi, – thotë analisti për “Deutsche Ëelle”, – i gjithë rajoni i Ballkanit mund të shndërrohet në një zonë “të trazuar” për investime dhe duket se Kancelarja gjermane synon, nëpërmjet këtij rrugëtimi, ta zbusë një përshtypje të tillë.

Sipas vëzhguesve, në krahasim me Bosnje-Hercegovinën e Serbinë, të cilat kanë me BE-në probleme të vjetra e të reja, në Tiranë Merkel do ta ketë më të lehtë.

Nga këndvështrimi i Perëndimit, Shqipëria “është një faktor stabiliteti në Ballkan”, thotë Reljiç. Ai pret, që Merkel të kërkojë në mënyrë diskrete nga kryeministri Edi Rama, që të mos deklarohet më për ‘Shqipërinë e Madhe’ dhe projektet e ngjashme nacionaliste, të cilat përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe disa pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë./Tch/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mediet-gjermane-ne-ballkan-korrupsioni-ne-shkalle-te-gjere-dhe-qeveri-autoritare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala