Mediat serbe: Vuçiq para syve të Evropës i tha Mustafës se nuk ua falim pasuritë tona

Autori:Avdyl Pajaziti

Lëshimet që Serbia po detyrohet t’i bëjë në raport me Kosovën, pas gjithë kësaj kohe të mohimit të shtetit të Kosovës, kanë bërë që mediat e afërta me Qeverinë e Serbisë, të nxjerrin tituj bombastik kinse të heroizmit të kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq në dialogun e vështirë përballë delegacionit kosovar të kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa.

Ato sot si tituj kryesor kanë kinse qëndrimin e prerë të Vuçiqit se Serbia nuk do të heq dorë plotësisht nga liqeni i Gazivodës.

“Vuçiq para syve të Evropës i këput shpresat shqiptarëve: Mustafa, nuk ka asnjë shans të pranoj kërkesat tuaja. Nuk e japim Gazivodën”, është titulli i portalit serb Telegraf, transmeton lajmi.net.

Edhe pse dje në Bruksel në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, u arrit një marrëveshje, ajo e pranimit të policave të sigurimit, dhe palët u dakorduan që më 29 qershor të vazhdojnë me temat tjera, kryeministri serb Vuçiq, pas çdo raundi të dialogut, duket se më shumë ka dëshirë të flas për liqenin e Gazivodës, se sa për temat që palët kanë diskutuar në takim, e as për ato për të cilat kanë arritur marrëveshje.

Mediat serbe shkruajnë se në takimin e djeshëm ka mbizotëruar një atmosferë e tensionuar dhe një mospajtim i madh për temat që janë diskutuar, dhe sipas tyre kryeministri serb Vuçiq dhe ministri i Jashtëm Daçiq as që duan të dëgjojnë kur bëhet fjalë për pretendimin e Prishtinës se liqeni i Gazivodës i cili gjendet në veri, t’i takojë komplet Kosovës.

Por, pavarësisht këtyre fjalëve të mëdha, Serbia ka vazhduar të lëshojë pe nga qëndrimet e saj deklarative se nuk heq dorë nga Kosova.

Pas marrëveshjes së 19 prillit 2013, të nënshkruar nga dy kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, Serbia ka bërë shumë lëshime, të cilat Kosovën e paraqesin si shtet edhe në raportet me shtetin e udhëhequr nga ish radikalët e Sheshelit, Tomislav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq.

Serbia më nuk refuzon pjesëmarrjen në takimet e rajonit ku përfaqësohet edhe, as në ato të nivelit të përfaqësimit të lartë shtetëror, siç janë në nivel presidentësh e kryeministrash.

Gjithashtu, Serbia ka pranuar që qytetarët e Kosovës të hyjnë me letërnjoftim në Serbi, e po ashtu edhe komunat veriore me shumicë serbe, kanë pranuar të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe nacionale të organizuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Ndërsa tani presioni ndërkombëtarë i kryesuar nga Gjermania, po i kërkon Serbisë, që të mos pengoj Kosovën në anëtarësimin në OKB, dhe të gjithë këtë me kushtin e madh, nëse ajo dëshiron që t’i hapet rruga për integrim në BE, përndryshe do të vazhdojë të jetë e bllokuar. /lajmi.net/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mediat-serbe-vuciq-para-syve-te-evropes-i-tha-mustafes-se-nuk-ua-falim-pasurite-tona/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala