Mediat e bastisura turke bëhen proqeveritare brenda natës

Autori:Gazeta Fjala

Dy gazeta opozitare turke të bastisura në një valë të shtypjes ndaj armikut kryesor të presidentit, Recep Tayyip Erdogan, u shndërruan përnjëherë në media proqeveritare të premten, duke botuar ballina me përmbajtje mbështetëse për qeverinë, pasi menaxhmenti i ri i caktuar nga shteti shkarkoi pjesën më të madhe të stafit të tyre.

Policia përdori sprej biberi dhe topa uji ndërsa bastisi të enjten zyrat e kompanisë mediale, ku funksionojnë edhe gazetat “Bugun” dhe “Millet”, si dhe dy kanale të tjera televizive, duke e marrë ndërtesën nën kontroll, si pjesë e një hetimi ndaj rrjetit të klerikut me seli në SHBA, Fethullah Gulen, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e Reutersit.

Veprimi i ndërmarrë pak para zgjedhjeve të përgjithshme të dielën nxiti kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të njeriut në Turqi dhe jashtë saj.

Ballinat e këtyre gazetave, që prej kohësh ishin kritike të ashpra të Erdoganit dhe administratës së tij, botuan të premten fotografitë e presidentit të rrethuar nga bashkëshortja e tij dhe oficerët ushtarakë, gjatë festimeve të ditës së Republikës të enjten.

“Turqia si një zemër e vetme” ishte titulli i ballinës së “Millet”. Ndërkaq me titullin “Sheshi i popullit”, gazeta “Bugun” e hapi ballinën e së premtes, duke aluduar në imazhin e pretenduar të Erdoganit se është “president i popullit”, me gjithë kritikat e opozitës për pallatin e tij të ri me 1.000 dhoma dhe instinkte autoritare.

“Brenda një nate të vetme gazeta ndryshoi karakterin. Sot duket sikurse ‘Pravda’. E shihni në të Erdoganin, presidentin tonë, tek e përshëndet popullin”, ka thënë Orhan Kemal Cengiz, kolumnist i “Bugun”, artikulli i fundit i të cilit nuk është botuar dhe i cili nuk e dinte sigurt nëse e ka ende vendin e tij të punës të sigurt në gazetë. “Supozoj se kjo gjë varet nga rezultati i zgjedhjeve”.

Para se të merrej nën kontroll nga Qeveria, ballinat e këtyre gazetave protestonin kundër bastisjeve policore, me tituj bombastikë si :“Plaçkitja e besimit” në “Bugun” dhe “Puçi i përgjakshëm” në “Millet”. Mirëpo redaktori i porsaemëruar urdhëroi policinë që të largojë nga ndërtesa këdo që tenton t’i mbrojë këto ballina, kanë thënë gazetarët, të cilët janë larguar nga dhoma e lajmeve.

“Ai e ngriti lart ballinën dhe tha: ‘A është kjo gazeta juaj? Është e turpshme. Nëse ndokush këtu mendon në mënyrë të kundërt, atëherë duhet të shkojë, nuk duhet të qëndrojë këtu’”, tha Cihan Acar, një gazetar i “Millet”. “Më pas ai i regjistroi emrat e neve që e mbrojtëm ballinën dhe na shkarkoi një nga një menjëherë”.

Disa pamje amatore të bëra me telefona celular ë shfaqën atë që duket të jetë redaktori i ri, duke e ngritur lart gazetën dhe duke thënë: “Të gjithë ju që mendoni kështu duhet të na informoni dhe të ulemi e të bisedojmë”. Acar më pas dëgjohet duke e thënë emrin e tij, para se redaktori i tij t’i drejtojë nga ai zyrtarët e policisë dhe të urdhërojë largimin e menjëhershëm të tij nga godina. Dhjetëra persona u shkarkuan që në ditën e parë të marrjes së gazetave nën kontroll të Qeverisë, thanë redaktorët.

Autoritetet bënë të ditur se bastisja në kompaninë “Koza Ipek Holding”, e cila ka lidhje me Gulenin, ishte pjesë e një hetimi për parregullsi të pretenduara financiare dhe ishin të shoqëruara me urdhra të lëshuar nga gjykata. Kompania megjithatë hedh poshtë pretendimet për keqbërje.

Erdogani e akuzon Gulenin se po synon ta rrëzojë atë nga pushteti, duke instaluar një “strukturë paralele” përbrenda institucioneve shtetërore. Ai i shtypi interesat komerciale të Gulenit, pasi policia dhe prokuroria, të cilat konsideroheshin se ushqejnë simpati për Gulenin, hapën hetimet ndaj qarkut të brendshëm të Erdoganit më 2013.

Erhan Basyurt, kryeredaktor i “Bugun”, tha se veprimi i parë i të besuarve të Qeverisë, të dërguar për ta mbikëqyrur kompaninë, ishte ndërprerja e transmetimeve të dy kanaleve satelitore televizive dhe ndalesa e botimit të dy gazetave.

“Të besuarit e caktuar për të mbrojtur interesat e kompanisë i shkaktuan asaj një humbje prej 1.5 milionë dollarësh brenda vetëm dy ditësh”, tha ai.

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mediat-e-bastisura-turke-behen-proqeveritare-brenda-nates/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala