Me Vatikanin për UNESCO

Autori:Gazeta Fjala

Kryeministri Isa Mustafa dhe Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kanë takuar në New York Sekretarin për Marrëdhënie me Shtete të Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher – të cilin e kanë njoftuar lidhur me përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në UNESCO.

“Kosova, si një shtet europian dëshiron të jetë pjesë e programeve shkencore, arsimore si dhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në kuadër të UNESCO’s. Rinia kosovare e meriton të jetë pjesë e këtyre programeve, duke qenë se ndan të njëjtat vlera si të gjithë të rinjtë e tjerë të Europës”, ka thënë Mustafa.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Mustafa ka falenderuar Sekretarin Gallagher për përkrahjen që Selia e Shenjtë ka dhënë për Kosovën për dekada të tëra, duke theksuar marrëdhëniet që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë që nga koha e Presidentit Ibrahim Rugova.

“Në këtë kontekst, Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, duke kërkuar shqyrtimin e mundësisë së njohjes së Kosovës”.

“Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, e falënderoi Sekretarin Gallagher për ndjenjat pozitive dhe përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën”.

“Zëvendëskryeministri Thaçi, po ashtu, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke thënë se kjo do të ishte në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe proceseve në Kosovë dhe rajon”, thuhet në njoftim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/me-vatikanin-per-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala