Me politikat e reja fiskale po dëmtohen qytetarët

Autori:Zekirja Shabani

Pakoja e re fiskale, përkatësisht lirimi i TVSH-së për lëndën e parë nga përfaqësuesit e bizneseve shihen si politika pozitive. Por përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se rritja e TVSH-së nga 16 në 18 për qind ka qenë e pa nevojshme dhe se sipas tyre kjo është bërë me qëllim që të krijohen të hyra më shumë në buxhetin e Kosovës.

Këto shqetësime i paraqiti, Agron Demi, nga institute GAP në konferencën e organizuar nga Oda Ekonomike gjermano-Kosovare, me temën “Implementimi i Pakos së re Fiskale, efektet një muaj pas”.

“Pako e re fiskale do t’i rrit çmimet për konsumator dhe atë e kemi vërtetu në bazë të analizave tek shporta e konsumatorit që llogaritet prej Agjencisë së Statistikave, dhe kjo për neve ka qenë pak shqetësuese”, tha Demi.

Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, iu është përgjigjur Demit duke i thënë se nuk kanë qenë të lehta vendimet që kanë marrë.

Samir Krasniqi, president i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, tha se vakumi institucional i vitit të kaluar ka përballur bizneset me vështirësi të mëdha në bërje biznes.

“Ekonomia kosovare ka kohë që është në gjendje të vështirë. Të bërit biznes pa dyshim se është vështirësuar. Ky mendoj se është një konstatim i një zëshëm i të gjitha bizneseve. Si ka ardhur kjo, sigurisht është si rrjedhojë e politikave ekonomike e të gjitha qeverive që nga paslufta e deri më sot. Kulmi i vështirësive të bërit biznes arriti në vitin 2014”, ka thënë Krasniqi.

Hykmete Bajrami, gjithashtu ka treguar edhe efektet e para të pakos së re fiskale, raporton KP.

Po ashtu, ka kërkuar nga bizneset të bashkëpunojnë në luftën kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit.

“Ka indikacione që po luftohet evazioni fiskal për arsye se të hyrat nga Dogana dhe ATK-ja janë rritur. Ndërkohë që kemi pasur një rritje ekonomike vetëm për 3 për qind dhe të hyrat nga ATK-ja janë rritur 9 për qind, të hyrat nga dogana janë rritur për 8 për qind”, ka thënë ministrja Bajrami.

Ndërkaq Lulzim Rafuna, drejtor i Doganave bëri të ditur se Doganat nuk kanë pasur asnjë vështirësi në zbatimin e pakos së re fiskale.

Nahit Sharku, u.d i drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, tha se një nga synimet e pakos së re fiskale është përmirësimi i ambientit të bërjes biznes dhe mirëqenies sociale.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, kanë paralajmëruar se do të organizojnë takime të rregullta në të ardhmen në mënyrë që të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me bizneset.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/me-politikat-e-reja-fiskale-po-demtohen-qytetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala