Më pak se 1% të kosovarëve marrin azil në Gjermani

Autori:Avdyl Pajaziti

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë shkuar në Gjermani kanë shanse minimale për të qëndruar atje. Kuota e njohjes të së drejtës së azilit nga ky shtet është nën 1 për qind.

Kjo është bërë e ditur nga ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Gjermanisë, Gerd Muller, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës Informative gjermane për migrim, arsim, dhe karrierë në Prishtinë.

Ai po ashtu tha se kjo zyre do të mundësojë qytetarëve të Kosovës të kenë informata për migrim legal.

“Aktualisht kemi një kuotë të njohjes të së drejtës së azilit për kosovarë në Gjermani, e cili është nën 1 %. Dje, jemi marrë vesh me përfaqësuesit e këtushëm për një mbështetje të mëtutjeshme të cilën e ofron Gjermania dhe e cila kap vlerën prej 3 milionë eurosh për procesin e kthimit të kosovarëve. Është një program për rikthimin e kosovarëve nga Gjermania, në kuadër të kësaj mbështetje do t’u jepet këshillim për ri-integrimin për mbështetjen e tyre dhe për gjetjen jo vetëm të punësimit por edhe një të ardhme këtu në Kosovë”, tha ai.

Ai tha se gjatë verës do të pajisen 240 student me viza gjermane, raporton KP. “Ne kemi një numër të madh të studentëve, aktualisht ka 600 student të cilët kanë shkuar në mënyrë legale për të studiuar në Gjermani. Vetëm gjatë sezonit të verës Ambasada e Gjermanisë që është këtu do të ndajë më shumë se 240 viza për studentë kosovarë”, ka thënë Muller.

Ai po ashtu ka thënë se ky program veç se ka filluar së zbatuari, por do të zgjerohet në të ardhmen ku do të involvohet edhe Agjencioni Federal për Punësim.

Ndërkaq, Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka falënderuar shtetin gjerman për kontributin e vazhdueshëm për Kosovën.

“Ne e themi kudo dhe në secilin format që përkapja e Republikës Federale Gjermane për vendin dhe institucionet tona është fund e krye përkrahje e procesit të konsolidimit të shtetësisë. Është afër gjysmë miliardë euro kontributi i Republikës Federale Gjermane për Kosovën. Ky kontribut ka konsistuar në përkrahje financiare asistencë teknike edhe në forma të tjera. Zemrat tona dhe mendjet tona, ne e kultivojmë ndasinë e falënderimit dhe mirënjohjes së thellë për të gjithë përfaqësuesit e Republikës Federale gjermane dhe për taksapaguesit gjerman për kontributin e deritanishëm, si dhe për vendosmërinë për ofrimin e përkrahjes në të ardhmen”, tha Abrashi.

Ndryshe, “Qendra informative gjermane për migrim, arsim dhe karrierë-DIMAK” është themeluar nga GIZ-i në emër të Qeverisë Federale Gjermane, përveç tjerash edhe si reaksion ndaj valës së madhe, kryesisht ilegale, të migrimit nga Kosova në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015.

Synimi i qendrës informative është qasja në një vend të përbashkët e ofertës informative gjermane dhe e ofertës ekzistuese në Kosovë rreth temës së migrimit legal në Gjermani dhe posaçërisht rreth temës së përkrahjes së punësimit për popullatën e Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/me-pak-se-1-te-kosovareve-marrin-azil-ne-gjermani/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala