Më 29 gusht e 5 shtator, afati i dytë i testit të maturës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Arsimit së bashku me Drejtoritë Komunale të Arsimit, kanë filluar përgatitjet për afatin e dytë të provimit shtetëror të maturës.
Ndërkaq Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka nisur takimet me përfaqësuesit e komunave për t’u përgatitur për afatin e dytë të provimit shtetëror të maturës.

Kryetari i Komisionit, Azem Guri, tha për Radio Kosovën, se përgatitjet janë duke shkuar sipas planit dinamik. Ndërkohë, bëri të ditur për maturantët, të cilët nuk e kanë kaluar testin në afatin e parë, se duhet të paraqesin provimin nga data 14 deri më 21 gusht.

“Në afatin e dytë të gushtit janë mbi 14 mijë maturantë, të cilët presim t’i nënshtrohen provimit të maturës. Ne si Komision, jemi të fokusuar, që sa i përket administrimit të provimit të maturës të jetë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i përmirësuar ato parregullsi të cilat janë paraqitur në afatin e qershorit.”

Guri bëri të ditur se të gjitha shkollat do të njoftohen me kohë për procesin e provimit të maturës. Ndërsa, sa i përket numrit të qendrave të testimit, ai tha se kjo do të bëhet e ditur pasi do të paraqesin provimin të gjithë maturantët.

“Nga momenti i paraqitjes së provimit shtetëror të maturës, që fillon nga 14 gushti, t’i bëjmë të gjitha njoftimet nëpër shkolla, t’i njoftojmë edhe njëherë me përgjegjësitë, detyrat dhe obligimet, duke filluar nga nxënësit, mbikëqyrësit dhe komisionarët. Sa i përket Qendrave të Testimit ne mund ta dimë në momentin e paraqitjes së provimit, pra nga 21 gushti. Varësisht nga paraqitja e provimit, do ta dimë se sa qendra do të kemi dhe mbi bazën e kësaj do të bëjmë angazhimin e administruesve, mbikëqyrësve dhe monitoruesve”

Afati i dytë i Provimit Shtetëror të Maturës, organizohet në dy ditë, më 29 gusht dhe 5 shtator, ku në ditën e parë, maturantët do t’i nënshtrohen testit në 120 pyetje nga lëndët: Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Anglisht, ndërsa në ditën e dytë, testi përmban 80 pyetje sipas lëndëve të drejtimeve përkatëse.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/me-29-gusht-e-5-shtator-afati-i-dyte-i-testit-te-matures/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala