Mbyllen në Kosovë 16 OJQ me veprimtari të dyshimtë

Autori:Avdyl Pajaziti

Pas sulmeve terroriste në Paris, si pjesë e angazhimeve shtesë në luftën kundër terrorizmit dhe rrjeteve që mbështesin terrorizmin dhe aktivitetet ekstremiste, Skënder Hyseni, ministër i Brendshëm i Kosovës, me anë të një vendimi ekzekutiv ka shfuqizuar lejet e punës dhe ka mbyllur përfundimisht aktivitetet e të gjitha formave për 16 organizata joqeveritare që vepronin në petkun e kinse organizatave me karakter humanitar.

Ky vendim i ministrit Hyseni, siç transmeton QIK-u shkrimin e Opinion.al, ndodh pas analizave të të dhënave operative të kryera nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.  Këto organizata dyshoheshin se ishin të përfshira në aktivitete të rekrutimit të luftëtarëve për ISIS, financimin e aktiviteteve ekstremiste si dhe përhapjen e propagandës në mbështetje të aktiviteteve ekstremiste.

Faza e ardhshme e veprimit të autoriteteve kosovare qëndron në koordinimin e të dhënave operative me strukturat përkatëse të sigurisë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, pasi që rrjeti i organizatave që mbështesin ekstremizmin është i shtrirë në këto tre shtete.

Ndërkohë, edhe dje është raportuar se Shërbimi Informativ Shqiptar ka në dorë emrat e të gjithë terroristëve të mundshëm në Shqipëri. Siç raportohej, shumica e këtyre emrave kanë “prejardhje” edhe nga organizata të ashtuquajtura bamirëse që veprojnë në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mbyllen-ne-kosove-16-ojq-me-veprimtari-te-dyshimte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala