Mbushjet elektronike të Valës shiten edhe nga postierët

Autori:Avdyl Pajaziti

Posta e Kosovës, ka njoftuar se konsumatorët e kompanisë më të madhe për shërbime të telefonisë mobile dhe internetit në Kosovë, PTK, do të mund të furnizohen me mbushje elektronike edhe nga postierët e Postës së Kosovës.
Treqind (300) postierë të Postës do të ofrojnë mbushje elektronike (USSD) për secilin konsumator të Valës, në territoret që mbulojnë këta postierë, në gjithë Kosovën, veçanërisht në ato zona ku Zyrat Postare dhe pikat shitëse të PTK-së ndodhen larg qytetarit. Secili qytetar mund të kërkojë dhe blejë mbushje elektronike nga postierët, ndërkaq çmimi është plotësisht i njëjtë sikur në Zyrat Postare të Postës, do të thotë nuk ka kurrfarë provizioni.

Të dyja ndërmarrjet publike, Posta e Kosovës Sh.A. dhe PTK Sh.A. këtë projekt e lansojnë me qëllim që shërbimet të cilat i ofrojnë të jenë sa më afër qytetarit. Posta e Kosovës ka një rrjet prej 157 Zyrash Postare, në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe fshatra, mirëpo, angazhimi i 300 postierëve jemi të bindur se do të mirëpritet nga konsumatorët. Marrëveshja për këtë shërbim të ri që ofrohet për herë të parë në Kosovës është nënshkruar të martën nga Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha dhe Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Agron Mustafa. Udhëheqësit e të dyja ndërmarrjeve publike, Hoxha dhe Mustafa janë zotuar se përmes bashkëpunimit mes Postës dhe PTK-së qytetarëve do t’u ofrohen shërbime të reja dhe cilësore edhe në të ardhmen.

Posta e Kosovës është ndarë nga PTK në gusht të vitit 2012 dhe që nga ajo kohë vepron si Ndërmarrje e pavarur Publike, mirëpo, të dyja ndërmarrjet kanë një bashkëpunim të ngushtë dhe strategjik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mbushjet-elektronike-te-vales-shiten-edhe-nga-postieret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala