Mbi 100 gjoba u shqiptohen shkelësve të ligjit për duhanin

Autori:Avdyl Pajaziti

Përfaqësues të Koalicionit Antiduhan në Kosovë (MSH, OBSH, AUVK, KADC…) zhvilluan sot një takim pune në Prishtinë gjatë të cilit analizuan ecurinë e deritanishme të inspektimeve të fundit të kryera nga ana e Inspektoratit Sanitar të Kosovës, me qëllim të zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë.

Në këtë takim u bë e ditur se gjatë inspektimeve të ditëve të fundit të zhvilluara nga ana e këtij Inspektorati në orët e mbrëmjes, me ekipe të kombinuara të inspektorëve dhe me mbështetjen e Policisë së Kosovë , të kryera në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Rahovecit, Mamushës dhe Suharekës janë dënuar 67 persona fizik dhe 40 subjekte afariste (kryesisht kafe bare), për shkak të shkeljes së Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Inspektorati Sanitar bëri të ditur se aksionet në orët e mbrëmjes do ta vazhdojnë sërish në këto Komuna dhe në të tjerat me radhë dhe objekt i inspektimit do të jenë subjektet të cilat po denoncohen nga ana e qytetarëve të vendit përmes numrit 0800 11000 dhe formave të tjera.

Në këto inspektime, ekipet e inspektorëve po përdorin sistemin e rotacionit të inspektorëve, duke dërguar inspektorët e njërës komunë në tjetrën për inspektim dhe po mbështeten pa rezervë nga Policia e Kosovës, e cila ka mundësuar që përveç shqiptimit të gjobave për subjektet afariste, të njëjtat të shqiptohen edhe për individët që me rastin e inspektimeve gjenden duke thyer ligjin.

Gjithashtu, në këtë takim, u diskutua edhe për vazhdimin e fushatave të ndërgjegjësimit, përmbylljen e udhëzimeve administrative që dalin nga Ligji për Kontrollin e Duhanit, hartimin e një Plani të veprimit për kontrollin e duhanit për vitet vijuese dhe masa të tjera që fuqizojnë zbatimin e këtij ligji në nivel vendi.

Përfaqësuesit e KADC-së, njoftuan në këtë takim se prej sot, në 7 qendrat më të mëdha të Kosovës ka filluar të realizohet hulumtimi i tretë rreth zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë.

Koalicioni Antiduhan u ka bërë thirrje edhe inspektorateve të tjera, në veçanti Inspektoratit të Tregut; të Punës dhe të Arsimit, që të ndërmarrin masa për zbatimin e ligjit brenda fushave të përgjegjësive të tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mbi-100-gjoba-u-shqiptohen-shkelesve-te-ligjit-per-duhanin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala