Mbahet konferencë për energjetikën

Autori:Gazeta Fjala

Filloi në Prishtinë Konferenca e katërt ndërkombëtare “Tregu energjetik i Evropës Juglindore 2015”, organizuar nga kompania Evroenergji.

Vendet e Evropës Juglindore duhet të angazhohen shumë që të integrohen në tregun rajonal të energjisë e më pas edhe atë evropian, tha ministri i zhvillimit ekonomik, Blerand Stavileci. Ai theksoi se Kosova është e fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga thëngjilli, por edhe nga burimet tjera, si dhe në eficiencë të energjisë. Duke folur për kapacitetet e reja, Stavileci tha se deri në fund të muajit do të merret vendim për termocentralin “Kosova e re”.

“Ne jemi në negociata me një kompani amerikane dhe besoj që nga fundi i këtij muaji ne do të dalim edhe me zgjidhjet përfundimtare për sa i takon vazhdimësisë së këtij projekti, i cili është më se i domosdoshëm për mbarëvajtjen jo vetëm të sektorit por edhe për të zhvilluar ekonominë”, tha ai.

Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angjelika Viets, tha se bazuar në përvojat gjermane, bashkëpunimi në cështjet e energjisë mund të jetë me rëndësi qenësore për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

“Ne i mirëpresim projektet e ndryshme publike por edhe investimet nga kompanitë pritave në fushën e burimeve të ripërtërishme në energji solare por edhe të erës”, theksoi ajo.

Ndërkaq Bashkim Malushaj drejtor i kompanisë Evroenergji, tha se qëllimi i organizimit të konferencës është që të prezantojë mundësitë që ofron Kosova në fushën e energjisë, qoftë nga thëngjilli, energjia e erës, energjia solare etj. Por sipas tij, gjendja aktuale nuk është duke ndikuar mirë tek investitorët potencialë.

Konferenca do të zhvillojë punimet në disa panele, ku pritet të diskutohet rreth energjisë së ripërtërishme dhe eficiencës së energjisë, furnizimit të qëndrueshëm me energji, dhe liberalizimin e tregut energjetik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mbahet-konference-per-energjetiken/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala