Maturantët rrezikojnë të ngelin në provim

Autori:Avdyl Pajaziti

Provimi i maturës do të organizohet pa heqjen e pragut të kalueshmërisë. Maturantët që nuk arrijnë të kalojnë pragun prej 50 për qind të pikëve, ngelen në provim.

Tridhjetetremijë maturantë kosovarë do t’i nënshtrohen provimit të maturës të shtunën, sipas Ligjit për Provimin Përfundimtar dhe Provimin e Maturës Shtetërore.

Por, vonesa e amendamentimit të këtij ligji nga Kuvendi i Kosovës ka sjellë në situatë që maturantëve të mos iu mundësohet hyrja në provim të maturës pa u ndëshkuar.

Për t’u shpallur i diplomuar maturanti kosovar edhe sivjet duhet të arrijë kriterin e pragut të kalueshmërisë 50 për qind nga rezultati i përgjithshëm i arritshmërisë së pikëve të provimit të maturës shtetërore.

Ndonëse, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, me ardhjen në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ka premtuar se matura nuk do të jetë pengesë për regjistrimin në fakultete, duke theksuar se standard i ri që do të propozohet është heqja e pragut të kalueshmërisë. Kjo nuk po ndodh sivjet.

“Këtë vit provimi i maturës shtetërore (dy afatet) do të organizohet sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara me ligjin në fuqi dhe çdo kandidat që i nënshtrohet provimit të maturës shtetërore, duhet të arrijë kriterin e pragut të kalueshmërisë 50 për qind nga rezultati i përgjithshëm i arritshmërisë së pikëve të provimit të maturës shtetërore, që të shpallet i diplomuar i shkollës së mesme të lartë dhe të arrijë kushtin e përgjithshëm për të vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm”, ka thënë për gazetën “Zëri”, Besa Bytyçi, udhëheqëse e zyrës për komunikim publik në MASHT.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/maturantet-rrezikojne-te-ngelin-ne-provim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala