Matoshi: Edhe Albini, Ramushi e Fatmiri do t’i nënshkruanin marrëveshjet po të ishin në pushtet

Autori:Gazeta Fjala

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke nënshkruar peticionin e opozitës për marrëveshjet e arritura, pa qenë fare në dijeni se çfarë po nënshkruajnë. Madje ata janë fare pak të informuar rreth çështjes në fjalë. Kështu është shprehur analisti politik Halil Matoshi.

Matoshi thotë se po të ishte edhe vet opozita në pushtet do t’i nënshkruante ato marrëveshje në Bruksel, duke potencuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes së parë të AAK-së dhe NISMA-s.

Sipas Matoshit, tash opozita është duke i kundërshtuar të gjitha procedurat e Qeverisë vetëm e vetëm për ta marrë pushtetin.

“Qytetarët që nënshkruajnë peticione kryesisht janë kalimtarë rasti, të painformuar për detajet dhe shpesh të përfshirë nga inercia, sikur edhe në këtë rast, e madje edhe politikisht të manipuluar”, tha Matoshi për Zëri.

“Peticionistët e dinë se edhe po të ishin vetë në pushtet, kishin për të nënshkruar këto marrëveshje me Serbinë, nën patronatin e Brukselit zyrtar, pas asnjë hezitim dhe dyshim; Madje përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës e kanë votuar Marrëveshjen e parë (2013) kurse refuzimi sot është vetëm në funksion të luftës për pushtet dhe pa asnjë efekt tjetër, pa efekt juridik”, tha Matoshi, duke cilësuar se marrëveshjet ndërkombëtare janë të pakthyeshme dhe obligative pa marrë parasysh ndërrimin e Qeverive, sepse shteti (institucionet legale) është garant i respektimit dhe zbatimit të tyre.

Sipas Matoshit, opozita do të duhej t’i përmbushte obligimet e veta si pjesë e sovranitetit me fuqinë e saj politike. “Qeveria do të tërhiqej po të kishte alternativa zhvillimore opozita”, shprehet më tej Matoshi.

Ai thotë se roli i opozitës nuk është vetëm për të kundërshtuar por edhe për të gjetur alternativa bazë për vendin, dhe se ky peticion nuk është “karta e fundit”.

“Nuk është karta e fundit, sepse opozita në kontinuitet duhet t’i përmbush detyrimet e veta, si pjesë e sovranitetit të popullit. Roli i opozitës në demokraci nuk është vetëm kundërvënia ndaj pushtetit por edhe gjetja e alternativave më të mira zhvillimore dhe nëse opozita arrin ta bind publikun (trupin elektoral) se ka një alternativë më ët mirë për atdheun, atëherë Qeveria detyrohet të dorëhiqet për t’ia lënë hapësirë opozitës që ta zbatojë atë alternativë. Porse opozita ende nuk është dëshmuar e aftë për t’u pozicionuar për diçka por ajo gjithnjë është shfaqur vetëm kundër diçkahit, pra nuk ka alternative pos intencës për ta shti në dorë pushtetin politik” është shprehur Matoshi.

Sipas Matoshit numri i nënshkrimeve të këtij peticioni nuk paraqesin saktësinë e pjesëmarrjes në protestat që do të organizohen në ditët në vijim.

Ndryshe opozita ka deklaruar se vetëm në ditën e parë të peticionit kanë nënshkruar mbi 17 mijë qytetarë. /Zëri

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/matoshi-edhe-albini-ramushi-e-fatmiri-do-ti-nenshkruanin-marreveshjet-po-te-ishin-ne-pushtet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala