Masa të rrepta sigurie për vizitën e Kerryt

Autori:Gazeta Fjala

Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” është bërë gati për pritjen e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry.

Forca të shumta policore janë vendosur në mjediset e ANP-së, sikurse dhe në rrugën që të dërgon deri në Aeroport.

Sikur shihet dhe në këto foto të shkrepura nga fotoreporteri i Ekonomia Online, Policia e Kosovës po përdor dhe qentë për të kontrolluar, sikurse dhe pajisje të sofistikuara që detektojnë mjete të dyshuara shpërthyese.

Ndërkaq, në rrugët e Prishtinës nuk mungojnë as panot me fotografinë e zyrtarit të lartë amerikan me mbishkrimin në të cilin atij i urohet mirëseardhje në Kosovë.

Politikani i lartë amerikan, gjatë vizitës së shkurtër në Kosovë, do të takohet me liderët e shtetit, takim ky që zhvillohet në aeroportin “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Gjatë qëndrimit gati dyorësh në vendin tonë, Kerry në aeroport takohet me kryeministrin, Isa Mustafa, dhe dy zëvendësit e tij, Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviq.

Por, ai nuk do ta shohë presidenten Atifete Jahjaga, e cila ditë më parë u takua me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.

Sekretari amerikan i shtetit do të ketë takim edhe me disa studentë shqiptarë që kanë studiuar në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.

Pas takimeve, Kerry do të prononcohet për media, por në adresimin e tij nuk do të lejohen pyetjet.

Gazetarët që do të përcjellin këtë vizitë është dashur të akreditohen dy ditë më herët në Ambasadën Amerikane. Ata, është dashur të shkojnë në Aeroport, disa orë para mbërritjes së Kerryt.

Zyrtari i lartë amerikan, që në Kosovë do të vijë me përfaqësuesit më të lartët të departamentit të shtetit, në fjalën drejtuar kosovarëve do të tregohet përkrahës për dialogun me Serbinë në Bruksel, dhe do të flas për mbështetjen që SHBA-të i japin Kosovës në luftën e saj kundër terrorizimit.

Po ashtu, Kerry, do t’ia japë disa porosi Qeverisë së Kosovës.

Menjëherë pas vizitës së shkurtër në Prishtinë, ai udhëton për në Beograd.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/masa-te-rrepta-sigurie-per-viziten-e-kerryt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala