Marrveshjet e kota të Kosovës

Kosova nuk po fiton asgjë nga nënshkrimi i marrëveshjeve tregtare me vendet e rajonit.
Sektori i pazhvilluar i prodhimtarisë, ka bërë që Kosova të mos jetë përfituese e madhe e këtyre marrëveshjeve.
Lekë Musa, ish-drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se në kohën kur janë nënshkruar këto marrëveshje, Kosova nuk ka qenë në situatë të favorshme prodhuese.
Vendet e rajonit, shton ai, kanë përfituar pasi që në Kosovë kanë gjetur një treg të hapur dhe pa konkurrencë. “Me marrëveshjen që është nënshkruar, Kosova ka qenë në një situatë shumë të pafavorshme, për shkak se kur Kosova ka hyrë në marrëveshje ka pasur një industri e cila ka qenë e shkatërruar dhe ka qenë në disavantazh, sepse ne kemi filluar procesin e tranzicionit së paku 10 vite më vonë se sa vendet e rajonit. Për të ilustruar, kjo ka qenë sikur në ring hyn një boksier i peshës së lehtë me një boksier të peshës së rëndë”, thekson Musa.
Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA, një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar nga Kosova në vitin 2007.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët dhe atë rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e mbi 1 miliard euro. /Rel/