Marrëveshja për Asociacionin në detaje (Dokument)

Autori:Gazeta Fjala

Komisioni Evropian më herët ka publikuar marrëvshjen e arritur midis delegacionit serb dhe atij kosovar mbi themelimin Asociacionit të Komunave Serbe (ASK).
Më poshtë lexojeni të plotë Marrëveshjen bazë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë:

Asociacioni/Komuniteti i komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore

Korniza ligjore

1) Asociacioni/Komuniteti i komunave me shumicë serbe në Kosovë është themeluar si një Asociacion/komuniteti i komunave me shumicë serbe, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, Ligji e ratifikimit të Marrëveshjes së Parë dhe ligjin e Kosovës

2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë që njeh karakterin e saj të veçantë, Qeveria e Kosovës do të miratojë një dekret drejtpërdrejt të zbatueshëm, që do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Komuniteti/Asociacioni do të jetë entitet legal i përcaktuar me Statutin e saj, i cili do të përbëhet nga të paktën elementet e përcaktuara më poshtë.

3) Statuti do të miratohet nga një asamble konstituive që përbëhet dhe votohet nga anëtarët e asambleve të komunave pjesëmarrëse.

Objektivat 4) Në përputhje me Marrëveshjen e Parë, Asociacioni/Komuniteti do të ketë objektivat e saj kryesore në ofrimin e funksioneve dhe shërbimeve publike për:

a) forcimin e demokracisë lokale

b) të ushtrojë mbikëqyrje të plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale

c) të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në edukim

d) të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në kujdesin primar dhe sekondar shëndetësor e social

e) të ushtrojë mbikëqyrje të plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural

g) të miratojë masa për përmirësimin kushteve të jetës për të kthyerit në Kosovë

h) të zbatojë, koordinojë dhe lehtësojë aktivitetet hulumtuese dhe zhvilluese

i) të promovojë, të përhap dhe avokojë çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të saj dhe t’i shfaq ato, përfshirë edhe tek autoritetet qendrore;

j) të ofrojë shërbime për anëtarët e saj, në pajtim me ligjet e Kosovës;

k) të vlerësojë ofrimin e shërbimeve publike të anëtarëve të saj dhe banorëve të tyre, si dhe për të mbështetur Komunitetin/Asociacionin në formimin e qëndrimeve të interesimit të përbashkët për pjesëmarrje në punën e autoriteteve qendrore

l) kryen monitorimin siç kërkohet për implementimin e objektivave të saj;

m) të krijojë raporte dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare;

5) Komuniteti/Asociacioni do të ushtrojë kompetenca tjera shtesë që mund të delegohen nga autoritetet qendrore.

Struktura organizative

6) Asociacioni/Komuniteti do të ketë organet e mëposhtme:

a) një Asamble si organi më i lartë i përbërë nga përfaqësuesit e përcaktuar nga çdo asamble e komunave pjesëmarrëse, në mesin e anëtarëve të tyre të zgjedhur. Kuvendi do të ketë të drejtë të miratojë ndryshimet në amendamentet e Statutit, rregullat e procedurës dhe të gjitha regulativat dhe vendimet administrative si për Statutin dhe objektivat e saj.

Të gjitha amendamentet në Statut, rregullat e procedurës dhe të gjitha regullativat dhe vendimet e miratuara nga Asambleja do të jenë të zbatueshme për anëtarët e saj, përveç nëse një prej anëtarëve të saj shpreh formalisht një vendim të ndryshëm.

b) një Kryetar i cili do të përfaqësojë Komunitetin/Asociacionin, para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës. Kryetari do të ndihmohet nga një nënkryetar. Kryetari dhe nënkryetari do të zgjidhet nga Asambleja nga radhët e anëtarëve të asambleve të komunave pjesëmarrëse dhe kryetarët e tyre.

c) Këshill i përbërë nga maksimumi 30 anëtarë në mesin e banorëve të komunave pjesëmarrëse, duke përfshirë të gjithë kryetarët e komunave pjesëmarrëse; Këshilli është një organ këshillues i cili ofron udhëzime për punën e Asociacionit/Komunitetit.

d) Bordi përbëhet nga 7 anëtarë të votuar nga Asambleja nga radhët e kryetarëve të komunave dhe banorëve të komunave pjesëmarrëse; përbërja e saktë përcaktohet në Statut, me të drejtë për të marrë vendimet e nevojshme për menaxhimin ditor të Komunitetit/Asociacionit. Anëtarët e Bordit do të mbështeten në punë nga Kolegjiumet Profesionale të përbërë nga ekspertë, që mbulojnë zonat që bien nën objektiva dhe detyrat e Asociacionit/Komunitetit. Statuti do të përcaktojë numrin e Kolegjiumeve Profesionale dhe detyrat e tyre tek anëtarët e Bordit.

e) një Administratë e kryesuar nga Shefi i Administratës i caktuar nga Bordi dhe që i raporton Bordit, që mbështet punën e Komunitetit/Asociacionit, në veçanti Bordin dhe Presidentin. Stafi i administratës do të përfitojë nga statusi i punësimit, në përputhje me ligjin e Kosovës, përfshirë edhe Ligjit të Punës dhe Ligjit për Shërbimin Civil, duke bërë të mundur që ata të kryejnë detyrat e tyre administrative. Anëtarët e Asociacionit/Komunitetit mund të vendosin për të përdorur një numër të të punësuarve për të mbështetur Komunitetin/Asociacionin në zbatimin e objektivave të saj.

f) një Zyrë Ankese me mandatin për të trajtuar ankesat në lidhje me objektivat.

7) Selia e Komunitetit/Asociacionit do të përcaktohet në Statut.

Raportet me autoritetet qendrore

8) Asociacioni/Komuniteti do të punojë me autoritetet qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave

9) Asociacioni/Komuniteti do të promovojë interesat e komunitetit serb të Kosovës në raport me autoritetet qendrore.

10) Asociacioni/Komuniteti do të ketë të drejtë të propozojë, në përputhje me ligjin e Kosovës, amendamente në legjislacion dhe rregullativa tjera relevante për kryerjen e objektivave të saj.

11) Asociacioni/Komuniteti do të kenë të drejtë të iniciojë apo marrë pjesë në ose procedurat para gjykatave kompetente, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, kundër çdo akti apo vendimi nga çdo institucion që ndikon në ushtrimin nga ana e Asociacionit/Komunitetit të kompetencave të saj, në përputhje me Statutin e saj.

12) Asociacioni/Komuniteti do të kenë të drejtë të propozojnë përfaqësues në organet kompetente/trupat e pushtetit qendror, duke përfshirë Këshillin Konsultativ të Komuniteteve. Duke ndjekur monitorimin e paraparë me Marrëveshjen e Parë, përfaqësuesi i Asociacionit/Komunitetit do të ketë drejtë të ketë qasje në informata nga autoriteteve qendrore, në përputhje me ligjin e Kosovës.

13) Duke vepruar në emër të Asociacionit/Komunitetit, katër kryetarët e tyre në komunat e veriut do t’i sigurojnë Ministrisë së Brendshme listën e kandidatëve për nominim të Komandantit rajonal të Policisë, siç specifikohet me Nenin 9 të Marrëveshjes së Parë.

Kapaciteti ligjor

14) Asociacioni/Komuniteti do të jetë i pajisur me kapacitetet juridike të nevojshme sipas ligjeve të Kosovës, për të kryer objektivat e saj, përfshirë të drejtën për të poseduar pasuri luajtshme dhe të paluajtshme, të ketë bashkëpronësi të kompanive që ofrojnë shërbime lokale në kuadër të Asociacionit/Komunitetit për të lidhur kontrata, përfshirë edhe kontratat e punës.

15) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, Asociacioni/Komuniteti konsiderohet i instaluar, me miratimin e dekretit, për qëllimet e objektivave të saj.

Buxheti dhe mbështetja

16) Asociacioni/Komuniteti do të ketë buxhetin e vet, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe dispozitat e ligjit për prokurimin publik.

Këto parime do të zbatohen në veçanti për kanalizimin e fondeve, përfshirë edhe nën 17.d

Shpenzimet do t’i nënshtrohen auditimit nga ana e Autoriteteve kompetente, përfshirë edhe nga Auditori i Përgjithshëm.

17) Asociacioni/Komuniteti do të financohet nga:

a) kontributet nga anëtarët e saj;

b) të ardhurat dhe mjetet nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni/Komuniteti, kompanitë e saj ose të nxjerra nga asetet e saj luajtshme a të paluajtshme;

c) transferet nga autoritetet qendrore;

d) kontributet, grantet, donacionet si dhe mbështetja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera, vendore e ndërkombëtare, si dhe nga Republika e Serbisë; Komuniteti/Asociacioni do të përjashtohet nga obligimet dhe taksat në realizimin e objektivave të saj, mbi të njëjtën bazë si komunat pjesëmarrëse.

Dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare

18) Asociacioni/Komuniteti do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër me kusht që anëtarët të jenë në marrëveshje.

19) Asociacioni/Komuniteti mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Asamblesë së saj të miratuar nga shumica prej 2/3 e anëtarëve.

20) Asociacioni/Komuniteti do të ketë të drejtë në simbolet e veta zyrtare (stemës dhe flamurit) në përputhje me ligjin e Kosovës.

21) Statuti i Asociacionit/Komunitetit do të hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do t’i paraqitet nivelit të lartë të Dialogut brenda katër muajve nga data e marrëveshjes së këtyre parimeve/elementeve, me lehtësim nëse është e nevojshme, përfshirë edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Statuti do të miratohet me një dekret në bazë të marrëveshjes në Dialog. Çdo ndryshim do të prezantohet nga Asociacioni/Komunitetit, do të miratohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

22) Brenda një viti të adoptimit të Statutit të Asociacionit/Komunitetit, një rishikim i implementimit të saj duhet të kryhet, përfshirë atë në lidhje me Nenin 5 të Marrëveshjes së Parë.

Dokumentin plotë mund ta gjeni:

eeas.europa.eu/statements-eeas/docs/150825_02_association-community-of-serb-majority-municipalities-in-kosovo-general-principles-main-elements_en.pdf

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/marreveshja-per-asociacionin-ne-detaje-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala