Maqedoni, presioni i komisionerit Hahn nuk dha rezultate

Autori:Gazeta Fjala

Pa sukses ka rezultuar tentativa e Komisionerit Evropian për Zgjerim, Johanes Hahn, i cili të hënën zbriti në Shkup për të ndihmuar katër partitë kryesore në Maqedoni që të tejkalojnë dallimet për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike.

Pas bisedimeve maratonë që përfunduan rreth orës katër mëngjesin e ditës së martë, Hahn u nis i dëshpëruar drejt Brukselit.

“Përfundimisht, ishte një ditë e keqe. Shpresoj që nesër të jetë ditë më e mirë. Ende është gjithçka e mundur. Jam i dëshpëruar, por ka gjasa të respektohet marrëveshja. Është e qartë se nuk po kuptohet serioziteti i situatës. Nevojitet lidership për normalizimin e situatës dhe perspektivës evropiane të vendit”, u shpreh Hahn.

Komisioneri ka paralajmëruar palët se dështimi i bisedimeve për zgjidhjen e krizës mund të ketë ndikim negativ në procesin e integrimit të vendit.

Tentativa e Brukselit për të zhbllokuar marrëveshjen për zgjidhjen e krizës ka dështuar pasi edhe përkundër bisedimeve që u zhvilluan për 12 orë, krerët partiakë nuk arritën të gjejnë kompromis rreth formës së ligjit, i cili do të ndalonte publikimin e materialeve të përgjuara.

Palët nuk kanë arritur të finalizojnë as pikat e tjera të marrëveshjes, siç ishte formatimi i qeverisë, ligji për Kodin e ri Zgjedhor, emërimi i stafit të Prokurores Speciale si dhe formimi i komisionit për përgjimet.

Negociatat për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike do të vijojnë midis grupeve punuese të katër partive kryesore në Maqedoni/TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/maqedoni-presioni-i-komisionerit-hahn-nuk-dha-rezultate/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala