Maqedoni, mazhoranca tërheq projektligjin për ndalimin e “bombave”

Autori:Gazeta Fjala

Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi ka tërhequr nga procedura parlamentare projektligjin për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara, që e dorëzoi në Kuvend ditën e martë.

Drafti i propozuar nga Xhaferi kishte mbështetje të plotë edhe nga partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, por u tërhoq për shkak të reagimeve të shumta të opozitës maqedonase, që e cilësoi atë si tentativë për vendosjen e censurës së përgjithshme në vend nga ana e pushtetit.

Projektligji për ndalimin e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike u kundërshtua edhe nga gazetarët dhe përfaqësuesit e sektorit civil, të cilët u tubuan në një protestë para ndërtesës së Kuvendit në Shkup, për të shprehur revoltën e tyre.

“Me këtë ligj zyrtarizohet censura në Maqedoni dhe shkelet neni 16 i Kushtetutës, me të cilin censura është e ndaluar. Qytetarët duhet të jenë të lirë dhe të kenë qasje në informacione, kurse liria e shprehjes nuk mund të jenë rob i politikës”, tha Pavle Bogojevski, nga OJQ “AJDE”.

Në formën siç ishte hartuar nga mazhoranca, drafti kërkonte ndalimin e publikimit të çdo materiali nga skandali i përgjimeve, që posedon opozita maqedonase, dhe detyronte mediat që kishin publikuar bisedat e përgjuara në të kaluarën, që t’i mënjanojnë nga arkivat e tyre.

“’Bombat’ e opozitës duhet të publikohen, sepse ato janë dëshmi për atë çfarë ka ndodhur në 9 vitet e kaluara, si ka keqqeverisur ky pushtet dhe si ka keqpërdorur fuqinë e saj për ta rrënuar shtetin”, tha Biljana Bejkova, nga OJQ “AJDE”.

Ky projektligji u reflektua edhe në tavolinën e bisedimeve, që po zhvillohen mes 4 partive kryesore për zbatimin e marrëveshjes politike të 2 qershorit. Për shkak të ngecjeve që shkaktoi në negociata u shkelën afatet e marrëveshjes dhe palët ende nuk kanë arritur kompromis për Kodin e ri Zgjedhor, çështje kjo për të cilën kishin rënë dakord të gjejnë zgjidhje deri më 6 tetor./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/maqedoni-mazhoranca-terheq-projektligjin-per-ndalimin-e-bombave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala