Mangësitë e ligjit pensional

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe pas 15 viteve në Kosovë nuk funksionon sistemi i sigurimeve sociale, gjegjësisht sistemi pensional invalidor, kurse një lloj përkrahje në vlerë prej 75 eurove nuk përmban asnjë atribut të pensionit ligjor.

Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga partia Social Demokratike ku morën pjesë këshilli drejtues i saj dhe forumi i veteranëve, me ç’rast u diskutua lidhur me zbatimin e ligjit për pensionist i cili është aprovuar vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Kaqusha Jashari, nga kjo parti tha se ky ligj përveç se nuk po zbatohet ai ka edhe shumë mungesa dhe nuk i plotëson kriteret për një pension të merituar. Sipas saj, ata nuk pajtohen me trustin pensional që ekziston tani.

“Ajo nuk është vetëm moskënaqësia jonë që nuk zbatohet ligji, se edhe ligji ashtu siç është, është një ligj që ka shumë mungesa dhe nuk është ligj i cili i plotëson kriteret për një pension të merituar që është një fatkeqësi për një shtresë shumë të madhe të pensionistëve. Ne si parti nuk pajtohemi me trustin që eksiton dhe thuhet se është trust pensional, për neve ai është fond i kursimeve, asistenca pensionale i ka disa kritere plotësisht tjera dhe derisa Kosova nuk e bën sistem social të qëndrueshëm Kosova nuk është e barabartë dhe nuk mundet me qenë partnere me shtetet tjera të Ballkanit dhe Evropës dhe të bëj konventa ose kontrata të punës dhe shumë përparësi tjera. Për fat të keq po humbmi edhe si shtet dhe njerëzit janë në gjendje shumë të mjerueshme”, tha Jashari.

Ajo bëri të qartë se partia e tyre nuk do të ndalet me kërkesa deri sa ato të merren parasysh nga institucionet vendore.

Jashari bëri të ditur se ata kanë programe konkrete lidhur me formimin e fondit pensionalo-invalidorë, ku parashihet që trusti pensional të mos jetë obligativ por të paguhet sipas dëshirës.

 

“Kemi program konkret, formimin e fondit pensionalo-invalidorë plus duhet të përfshihet edhe kontributi i njerëzve që janë në pension edhe në privatizimin e projekteve, pak është vonë por është e mundur që një pjesë kontributit që kanë dhënë për ndërtimin e objekteve dhe të fabrikave të shkojnë në këtë fond. Mund të gjenden edhe burime të tjera, pastaj obligative duhet që çdo firmë, organizatë ose institucion të paguan në fond pensional. E trusti duhet të mbes si trust por jo në mënyrë obligative por të paguhet sipas dëshirës”, tha ajo.

Në këtë mbledhje patën mundësin që të gjithë të pranishmit e kësaj partie të japin ide të tyre, ku pas përfundimit të këtij takimi, të gjitha ato konkluzione dhe kërkesa do të adresohen karshi institucioneve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mangesite-e-ligjit-pensional/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala