Mamusha drejt falimentimit

Autori:Zekirja Shabani

Komuna e Mamushës rrezikon të futet në krizë financiare. Borxhet që duhet të arkëtohen nga Komuna e Mamushës, por edhe faturat e papaguara nga qeveria komunale si pasojë e mungesës së mjeteve, sfidojnë qëndrueshmërinë financiare të këtij pushteti lokal.

Kështu ka gjetur organizata jo qeveritare, EC Ma Ndryshe, e cila  ka analizuar përmbajtjen e Raportit Vjetor Financiar për vitin 2014, në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës online të ekzekutivit komunal të Mamushës.

Monitoruesit e EC Ma Ndryshe kanë gjetur se borxhet e përgjithshme që duhet të arkëtohen nga Komuna e Mamushës gjatë vitit 2014 kanë arritur në shifrën prej 166 mijë eurosh, në krahasim me vitin 2013 kur shifra arrinte në 150 mijë euro.

Borxhet më të mëdha të paarkëtuara figurojnë nga tatimi në pronë dhe taksa komunale, që përbëjnë zërat kryesorë në të hyrat vetjake të Komunës së Mamushës.

Borxhi i kësaj komune që duhet arkëtuar në emër të tatimi në pronë në vitin 2014 ka zbritur në shumën 75 mijë euro, nga 80 mijë sa ishte në vitin 2013.

Ndërkaq borxhi që duhet arkëtuar në emër të taksës komunale në vitin 2014 është rritur në 91 mijë euro, nga 70 mijë euro sa ka qenë në fund të 2013-ës. Taksa komunale e faturuar për vitin 2014 ka qenë afër 23 mijë e 500 euro derisa gjatë vitit janë arkëtuar vetëm 2 mijë e 200 euro.

Kësisoj, borxhi total që duhet arkëtuar është 166 mijë euro. Vlen të përmendet se kjo shumë është më e lartë sesa shuma prej 146 mijë eurosh, të cilën Komuna e Mamushës në vitin 2014 e ka harxhuar për ndërtimin e rrugëve.

Në anën tjetër, vitin 2014 Komuna e Mamushës e ka mbyllur edhe me fatura të papaguara, në vlerë prej 26 mijë eurosh, me arsyetimin se i mungojnë mjetet financiare, ku 19 mijë euro janë në pozicionin e mallrave dhe shërbimeve, 6 mijë euro te shpenzimet komunale dhe 1 mijë euro te subvencionet.

Bazuar në këto të gjetura, EC Ma Ndryshe vlerëson se Komuna e Mamushës përballet me sfida serioze në arkëtimin e të hyrave vetjake. Mos adresimi i këtij problemi me kalimin e viteve mund të rrezikoj vetëqëndrueshmërinë ekonomike të kësaj komune.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mamusha-drejt-falimentimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala