Mali, sulmohet hoteli luksoz; merren peng 170 veta

Autori:Gazeta Fjala

Rreth 10 persona të armatosur kanë sulmuar një hotel luksoz të frekuentuar nga të huajt në kryeqytetin e Malit, Bamako, gjatë orëve të para të kësaj të premteje, ndërsa dy prej tyre besohet të kenë marrë peng 170 persona; 140 klientë dhe 30 punonjës stafi; ndër të cilët disa janë me shtetësi kineze.

Lajmi bëhet i ditur nga një burim i forcave të sigurisë, si dhe dëshmitarë në vendngjarje. Agresioni më i fundit ka prekur hotelin “Radisson Blu”, i ndodhur në zonën perëndimore të qendrës së kryeqytetit, madje aty ku ndodhen edhe selitë e disa ministrive dhe diplomatëve të huaj, thonë burimet.

Pjesa veriore e Malit është zaptuar nga luftëtarë islamikë, disa prej të cilëve me lidhje me al-Qaedan, për pjesën më të madhe të vitit 2012. Edhe pse ata u larguan nga rajonet e pushtuara për shkak të ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga Franca, dhuna vijon në vend me raste sporadike.

“Herët në mëngjes ka pasur të shtëna armësh. Me siguri, ata kanë synuar dhe ia kanë dalë mbanë të marrin pengje. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka rrethuar zonën”, tha një burim i forcave të sigurisë për “Reuters”. Dëshmitarë thonë se policia ka rrethuar hotelin, si dhe ka bllokuar rrugët përreth tij.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar përmes Tëitterit, duke bërë të ditur se “është në dijeni të një operacioni policor ndaj disa të shtënave në hotelin Radisson”, si dhe u ka sugjeruar shtetasve amerikanë të qëndrojnë nëpër vende të mbyllura.

Një grup islamik mori përsipër përgjegjësinë e vdekjes së 5 personave gjatë marsit të kaluar, në një sulm që preku një restorant në Bamako, gjithashtu të frekuentuar nga të huajt./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mali-sulmohet-hoteli-luksoz-merren-peng-170-veta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala