Mali i Zi sot merr ftesën për NATO

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministrat e jashtëm të NATO-s kanë nisur të martën në selinë e NATO-s në Brukseli takimin e tyre dyditësh me disa tema në rendin e ditës.

Në këtë takim pritet që Malit të Zi t’i dërgohet ftesa për anëtarësim në NATO pasi vlerësohet se ky shtet Ballkanik i ka përmbushur kriteret për të marrë një ftesë të tillë, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë e përmendi në nisje të takimit të sotëm edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, edhe pse ai, për shkaqe formale, nuk deshi të paragjykojë se cili do të jetë vendimi përfundimtar i ministrave, i cili do të bëhet i ditur të mërkurën.

Nëse Mali i Zi sot merr ftesën, atëherë negociatat teknike do të nisin menjëherë dhe, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe anëtarësimi i Malit të Zi ratifikohet nga të gjitha shtetet e tashme anëtare, atëherë Mali i Zi do të bëhet anëtari i 29-të i NATO-s. Me këtë NATO-ja do të përmbyllë me anëtar të vetin rajonin e Adriatikut dhe Jonit duke pasur parasysh se nga Turqia e Greqia në Jug e deri tek Kroacia dhe Sllovenia në veriperëndim janë anëtarë tashmë të NATO-s.

Prandaj anëtarësimi i Malit të Zi në NATO vlerësohet të jetë me rëndësi gjeostrategjike për Aleancën. Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për t’u bërë anëtare të NATO-s në samitin e Bukureshtit në vitin 2008 dhe u bënë anëtare një vit më vonë, me 1 prill, një ditë para samitit që u zhvillua në Strasbourg dhe Kehl. Në këto samite këto dy vende për herë të parë morën pjesë si anëtare të plotfuqishme të NATO-s.

Maqedonia po ashtu që nga viti 2008 i kishte përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e NATO-s, por për shkak të kundërshtimit të Greqisë, nuk mori ftesën për anëtarësim. NATO-ja vazhdon të pohojë se dyert për Maqedoninë mbeten të hapura dhe ajo do të ftohet në NATO sapo të zgjidhet çështja e emrit.

Rusia është shprehur kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mali-i-zi-sot-merr-ftesen-per-nato/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala