“Magjistrales” së Beogradit i sekuestrohen kamionët në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës dhe punonjësit e Doganës së Kosovës ia kanë sekuestruar sot ndërmarrjes së Beogradit “Magjistrala” pesë kamionë, automjete për pastrimin e borës dhe vetura, bën të ditur B92.

Arsye e këtij sekuestrimi është fakti se të punësuarit në këtë firmë, 15 sish, punonin sipas planeve të Serbisë, ndërsa automjetet ishin me tabela të regjistrimit të Beogradit, transmeton Koha.net raportimin e TV Most, në Shtërpcë.

Automjetet janë shoqëruar nga policia deri në terminalin e Ferizajt e pastaj janë kthyer në Serbi përmes pikëkalimit kufitar Konçul te Bujanoci.

Që punëtorët e “Magistrales” sërish të mund merren me mirëmbajtjen e rreth 80 kilometrave rrugë lokale e rajonale në Kosovë duhet të paguhen kontributet tatimore, të merret licenca (leja e punës) dhe targat e Kosovës për automjete.

Deri atëherë, sipas raportimeve të medieve serbe, që i transmeton Koha.net, për mirëmbajtjen e rrugëve në këtë komunë me shumicë serbe do të përkujdesen firmat e Kosovës.

Sipas serbëeve të Shtërpcës në këtë mënyrë është shkelur marrëveshja ndërmjet Beogradit e Prishtinës, meqë për privatizimin e firmave në mjediset serbe në Kosovë do të duhej të bisedohej pas formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe.

Gjatë dy vjetëve të shkuara, Agjencia Kosovare e Privatizimit vetëm në Zhupën e Siriniqit, siç e quan Beogradi luginë e Shtërpcës, ka privatizuar, përkatësisht ka mbyllur dhjetëra firma serbe – Stacionin e Veterinës, Kooperativën Bujqësore, Shtëpinë e Mallrave në qendër të Shtërpcës, Fabrikën e veglave metalike dhe komponentet “Ivo Llolla Ribar”, motelin “Junior”, në të cilin nga vitit 1999 ishin vendosur persona të dëbuar e të zhvendosur, ndërsa është paralajmëruar privatizimi i pushimores së fëmijëve “Llahor”, pushimorja e “Eelektrokosmetit” dhe Ski qendra në Brfezovicë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/magistrales-se-beogradit-i-sekuestrohen-kamionet-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala