Lutfi Haziri merr nga dy paga nga buxheti i komunës

Autori:Zekirja Shabani

Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan thotë se kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri nga mëditjet që ka marrë për udhëtimet jashtë vendit i bie që të marrë nga dy paga në muaj nga buxheti i komunës.

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, siç thuhet në komunikatën e PDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri ka shpenzuar mbi 34 mije euro për vizitat turistike të realizuara nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës.

“Sipas raportit financiar 6 mujor, Luta ka marr mëditje për udhëtimet jashtë vendit 4,064.60 euro, që do të thotë se mesatarisht ka marr nga 677.10 euro pagë shtesë për çdo muaj. Nga buxheti i varfër i komunës së Gjilanit, për këtë periudhë janë shpenzuar për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit 7,601 euro, për mëditje të udhëtimit jashtë vendit 9,059 euro, akomodim dhe shpenzime tjera 307 euro. Mirëpo në këtë raport, nuk janë të paraqitura edhe shpenzimet aktuale që është duke i bërë Luta në SHBA, e të cilat kalojnë shumën e 7 mijë eurove si dhe vizitën e mëparshme në Gjermani që kalojnë shumën e mbi 10 mijë eurove”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK, në këtë komunikatë thotë se asnjë vizitë e vetme e kryetarit të komunës, nuk i ka sjellë ndonjë dobi komunës apo qytetarëve të Gjilanit.

PDK thotë se kryetari i Gjilanit po vuan që nuk është pjesë e qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Por ne me kohë kemi kërkuar nga Thaçi dhe Mustafa, kur është formuar koalicioni PDK-LDK në qendër, që t’ia bëjnë një vend në qeveri Lutfi Hazirit, në mënyrë që të shpëtojë Gjilani dhe mos të falimentojë. Sepse Lutës kurrë nuk i ka pëlqyer aspak Gji lani, atij i duket qytet shumë i vogël.

Me “vuajtjen” e Lutës po përballen edhe 90 mijë qytetarë të Gjilanit, një numër i madh i tyre do të vuajnë ende shumë me një qeverisje të drejtuar nga një kryetar i këtillë, çfarë sot e ka qyteti i Gjilanit”, thuhet në fund të kësaj komunikate që e ka nënshkruar Riad Rashiti nga PDK në Gjilan,

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lutfi-haziri-merr-nga-dy-paga-nga-buxheti-i-komunes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala