Lunacek ka një propozim për opozitën se si të dilet nga kriza

Autori:Avdyl Pajaziti

Krahas angazhimeve të presidentes së vendit, Atifete Jahjaha për të gjetur një zgjidhje për të tejkaluar krizën politike në vend, me ide dhe hapa konkret ka dal edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek.

Zyrtarja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) në një intervistë për emisionin “INFO BOX” të RTV Dukagjinit ka thënë se dy marrëveshjet e kontestuar nga opozita, ajo për Asociacionin për komunat me shumë serbe dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, duhet të shkojnë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

Sipas Lunaçek, çdo veprim i opozitës, siç është gaz lotsjellësi dhe aktet e tjera, janë të papranueshme.

Ajo ka thënë se ka qenë deputete në vendin e saj dhe shpeshherë nuk është pajtuar me vendimet e qeverisë, por që sipas saj, nuk është parlamenti një vend ku duhet të ndodhin skena të tilla.

“Të dyja duhet të shkojnë në parlament dhe nëse nuk do të miratoheshin atëherë do të zhbëheshin. Kështu funksionon demokracia, në të kundërtën marrëveshjet duhet të jenë valide. Unë kam pasur kritikat dhe dilemat e mija për dialogun me Serbinë, dhe se qysh nga fillimi kamë kërkuar që ndërmjetësit evropian të jenë të hapur me publikun. Nëse ju kujtohet këtë ia pata kërkuar lehtësuesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, por të njëjtën e kam bërë edhe me ish-ndërmjetësuesen e dialogut, Cathrine Ashton, sepse publiku ka nevojë të di se çka po negociohet dhe po merren vesh palët. Përkundër këtyre dilemave, nëse marrëveshja shkon në parlament dhe miratohet, atëherë nuk kemi se si të mos e respektojmë marrëveshjen”, ka thënë Lunacek.

Ajo është shprehur e habitur me deklarimet e shefit të qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa se këto marrëveshje nuk do të shkojnë në Kuvend për ratifikim, por që vetëm do të raportohet për to në Kuvendin e Kosovës.

“Natyrisht shpresoj që të ketë ratifikim, në të kundërtën nuk është mirë më të shohim se si parlamenti bllokohet dhe të shohim skena që i kemi parë”, ka vlerësuar ajo.

Lunaçek i ka bërë thirrje partive opozitare që në momentin kur MSA-ja të shkoj për ratifikim në Kuvend, mos të bllokohet puna e këtij institucioni, duke vlerësuar se në parim Bashkimi Evropian po e pranon Kosovën si shtet, dhe kjo sipas saj, është tepër e rëndësishme për vendin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lunacek-ka-nje-propozim-per-opoziten-se-si-te-dilet-nga-kriza/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala