Lunaçek e tronditur nga sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje

Autori:Avdyl Pajaziti

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, ka dënuar aktin e djeshëm të opozitës kosovare, në veçanti anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, kur hodhën gazë lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se këto veprime e kthejnë prapa përparimin e Prishtinës drejtë Bashkimit Evropian.

“Unë jam e tronditur nga sjellja e dhunshme dhe e dënojmë me forcë këtë sulm i cili tani ka kaluar kufirin e çdo debati parlamentar”, tha ajo në një deklaratë, shkruan N1, transmeton Klan Kosova.

Ajo tha se ky sulm i papërgjegjshëm ndikon negativisht në progresin e Kosovës dhe në rrugën drejt Bashkimin Evropian, duke deklaruar se incidenti e ka dëmtuar shumë imazhin e Kosovës.

“Lunaçek i bëri thirrje udhëheqjes së Lëvizjes Vetëvendosjes dhe deputetëve të saj, “që t’i kthehen debatit parlamentar dhe punës konstruktive, në vend të akteve të dhunshme”.

Edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka dënuar aktet e djeshme të opozitës në Parlament.

“Sjellja e tmerrshme e disa deputetëve të opozitës që çoi në ofrimin e ndihmës së nevojshme mjekësore ndaj deputetëve të tjerë, si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, duke përfshirë stafin e Ambasadës Amerikane, është tallje me një nga institucionet më të rëndësishme demokratike të Kosovës”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Kosovë.

Dhunën në Parlament e kanë dënuar edhe Zyra e BE-së, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, ambasadat dhe zyrat e shteteve anëtare të BE-së, të cilat ishin dje të pranishme në parlamentin e Kosovës.

Po ashtu, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger denoncoi bllokimin e djeshëm të seancës parlamentare.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lunacek-e-tronditur-nga-sjellja-e-levizjes-vetevendosje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala