Lumezi takon prokurorët, kërkon më shumë efikasitet

Autori:Gazeta Fjala

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbledhur sot në një takim prokurorët e Departamentit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga të cilët kërkoi rritje të efikasitetit në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Në takim merrnin pjesë dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të Njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të datës 29 dhjetor 2015, gjatë këtij takimi u themelua Njësiti për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, i cili pritet të filloj së funksionuari më 1 shkurt 2016.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u caktuan edhe pesë prokurorët nga Departamenti për Krime të Rënda, të cilët do të punojnë në këtë njësit.

Kryeprokurori Lumezi njoftoi prokurorët se Komisioni mbikëqyrës i themeluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, do të bëj vlerësimin e punës së prokurorëve të angazhuar në këtë njësit, si dhe do t’i raportoj Këshillit Prokurorial çdo tre muaj, duke kërkuar nga të gjithë prokurorët të tregojnë sukses në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, në të kundërtën do të ndëshkohen për mos kryerjen me sukses të punëve.

Gjithashtu, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, njoftoi se qëllimi i themelimit të këtij njësiti është zvogëlimi i numrit të pazgjidhur të lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, rritja e efikasitetit të punës, ngritja e nivelit të bashkëpunimit, ngritja e kapaciteteve, duke përfshirë specializimin e prokurorëve dhe rregullimi i llogaridhënies.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lumezi-takon-prokuroret-kerkon-me-shume-efikasitet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala