Lumezi paralajmëron hetime për publikimin e emrave të të dyshuarve në rastin “Stenta”

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, lidhur me disa shkrime në media që kanë publikuar emrat e personave të përfshirë në hetime në rastin “STENTA”, njofton opinionin publik së këto të dhëna nuk janë marr nga Prokurori i Shtetit, pasi që, sipas njoftimit për media thuhet se në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, aktvendimi për zgjerimin e hetimeve është dorëzuar vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tek gjyqtari i procedurës paraprake.

Këtë aktvendim nuk është dashur që ta ketë në dispozicion asnjë njëri i paautorizuar, thotë Prokuroria e Shtetit, ndërsa thekson se lidhur me publikimin e paautorizuar të këtyre të dhënave shumë shpejt do të fillohet hetimi për shkelje të dispozitave ligjore disiplinore dhe penale.

“Prokurori i Shtetit gjatë tërë procedurës hetimore do të ndërmerr të gjitha masat për ruajtjen e dinjitetit dhe reputacionit të secilit person të përfshirë në hetime pavarësisht se a është në cilësinë e të pandehurit, të dëmtuarit apo dëshmitarit”, thuhet në këtë njoftim.

“Gjithashtu konsiderojmë se prononcimi i Institucioneve Ekzekutive lidhur më ecurinë e hetimeve dhe tendenca për të ndikuar në procedurë përmes kërkesës që rasti të mbyllet sa më shpejt, nuk është në përputhje më pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor si pushtet i ndarë nga pushteti ekzekutiv”, theksohet më tej.

Afati i hetimeve sipas nenit 159 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës është 2 vite nga fillimi i hetimit paraprak dhe zhvillimi i hetimeve në rastin “STENTA” është brenda këtij afati, mirëpo edhe pas kalimit të këtij afati gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë një vazhdim deri në 6 muaj të hetimit, në rastet kur hetimi penal është i ndërlikuar, përfshirë, por pa u kufizuar kur ka katër apo më shumë të pandehur, janë identifikuar disa të dëmtuar, është bërë kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare, apo ekzistojnë rrethana tjera të jashtëzakonshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lumezi-paralajmeron-hetime-per-publikimin-e-emrave-te-te-dyshuarve-ne-rastin-stenta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala